Avokati, Naim Rudari e ka cilësuar si të ngutshme, deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i cili të martën tha se Prokuroria përveç se ishte vonuar me aktakuzën e Banjskës e ka edhe të paplotë.
Rudari ka thënë se pavarësisht mangësisë ose jo të aktakuzës politika nuk do të duhej të ndërhynte në punën e prokurorisë.
“Pa dyshim është mirë që politika të mos ndërhyjë dhe të mos komentojë punën e prokurorisë. Si do që të jetë vlerësojmë se prokuroria ka bërë një punë të mirë dhe besojmë ta ketë argumentur mjaftueshëm aktakuzën, të cilën tani veçse e ka dorëzuar në gjykatë. A është aktakuza e plotë apo e mangët? Ne nuk e kemi parë, unë së paku jo dhe besoj që as prokurori e as ministri i punëve të brendshme nuk e kanë parë aktakuzën, por gjithherë mund të ketë aktakuza të mangëta. Besoj që deklarimi i ministrit është i ngutshëm, por shpresojmë që aktakuza të jetë e ndërtuar mbi bazën e provave dhe të ketë ndërlidhje të mirë, si dhe e njëjta të kalojë në gjykatë ashtu sic duhet dhe ta merr verdiktin përfundimtar me aktygjim dënues të formës së prerë”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në tëvë1.
Më tej, ai ka shtuar se kritikat dhe vërejtet e tilla që vijnë nga politika nuk e rëndojnë punën e prokurorisë dhe sipas tij, prokuroria duhet të vazhdojë punën e saj profesionale pa u ndikuar nga askush.
“Besoj se jo, prokuroria duhet ta bëjë punën e saj profesionale dhe të mos ndikohet nga deklarimet dhe eventualisht pikëpamjet politike dhe as nga qytetarët por duhet ta bëjë punën e vet dhe para gjykatës të dëshmojë dhe argumentojë aktakuzën të cilën tashmë veçse e ka dorëzuar”, ka shtuar Rudari.
Prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 shtator ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në mesin e tyre edhe ndaj Milan Radoiçiq, për sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Ndërsa, seanca e parë fillestare lidhur me këtë çështje do të mbahet të mërkurën më 25 shtator./teve1.info/