Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se në Kuvendin e sotëm të partisë pritet të ofrohet dorëheqja e kryetarit Lumir Abdixhiku, ndërsa delegatët do të vendosin përmes votëbesimit për fatin e tij politik, duke paralajmëruar se ai personalisht do të votojë kundër largimit të Abdixhikut.
Rukiqi tha se ftesa dhe agjenda e dërguar për kuvendin tashmë e përcaktojnë rrjedhën e procesit.
“ Sot, agjenda që është dërgu, pra ftesa që është dërgu e përcakton pak a shumë edhe rrjedhën e kuvendit. Pra do të ketë një ofrim të dorëheqjes nga kryetari Abdixhiku dhe pastaj është në dorën e delegatëve që në formë të votëbesimit ndaj këtij qëndrimi të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pastaj të vendosin se cili do të jetë fati i tij. Në këtë kontekst, vota ime do të jetë kundër dorëheqjes së zotit Abdixhiku”, tha ai.
Ai e arsyetoi këtë qëndrim me nevojën për stabilitet në udhëheqje, duke theksuar se ndryshimet e shpeshta në krye të partive dëmtojnë organizimin dhe performancën elektorale.
“Për shkak se unë besoj që partitë politike duhet me rujt një farë lloj stabiliteti në udhëheqje dhe ky stabilitet pastaj me u përkthy në një lloj riorganizimi dhe në një lloj qëndrueshmërie në raport me të gjitha proceset nëpër të cilat mund të kalojë partia. Nëse partitë i ndërrojnë kryetarët çdo katër-pesë vite, atëherë asnjëherë nuk garantohet stabilitet brenda partisë politike dhe asnjëherë nuk mund të garantohet pastaj edhe rezultat i kënaqshëm. Nëse nuk e ke këtë lloj stabiliteti, këtë lloj qëndrueshmërie brenda lidershipit, atëherë është vështirë që të projektohet edhe ndonjë rezultat i kënaqshëm zgjedhor. Dhe ne besojmë që ka ende punë për t’u bërë. Normalisht, rezultati i kaluar ka qenë i pakënaqshëm, por nuk është si pasojë e asaj që mund të lidhet me ndonjë emër të përveçëm apo me ndonjë individ të caktuar në partinë tonë. Kjo është si pasojë e shumë faktorëve të tjerë që kanë ndodh dhe para së gjithash, para së gjithash është partitë, si Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë sfidë një ambient, një ambient polarizues, një ambient i cili nuk garanton garë të barabartë. Gara e pabarabartë e dhjetorit të vitit të kaluar normalisht që ka prodhu edhe rezultat negativ për partinë tonë”, tha ai.
