Lajme

Rutte i kërkon llogari Vuçiqit për Banjskën, eksperti: Tensionet mund të…

Deklarata e Rutte erdhi pas takimit me ministrat e Mbrojtjes të aleancës, ku ai iu përgjigj interesimit të mediave për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet e fundit në raportet Kosovë–Serbi.

“Unë edhe aleanca jemi në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Po presim për llogaridhënie për atë që ka ndodhur në Banjskë në vitin 2023 dhe për ngjarjet e tjera më 2023. Ndjekim nga afër ngjarjet dhe përmes KFOR-it dhe aktiviteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, si në Bosnjë dhe Kosovë, ne jemi shumë të përfshirë dhe i ndjekim gjërat nga afër”, u shpreh Rutte.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë u konsiderua një nga incidentet më të rënda të sigurisë në Kosovë në vitet e fundit. Gjatë përplasjes së armatosur mes grupit të sulmuesve dhe Policisë së Kosovës, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës e cilësuan ngjarjen si akt terrorist dhe akuzuan struktura të mbështetura nga Serbia për organizimin e sulmit, akuza që Beogradi zyrtar i ka mohuar.

Pas sulmit, prezenca e forcave të KFOR-it në veri u shtua, ndërsa NATO theksoi disa herë rëndësinë e stabilitetit dhe shmangies së përshkallëzimit. Deklarata e fundit e Rutte sinjalizon se aleanca vazhdon ta konsiderojë çështjen e Banjskës të hapur dhe pret hapa konkretë drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe përgjegjësisë për të.

Por, çka nëse Vuçiq nuk merr llogari, a ekziston rreziku për tensione të reja në veri të Kosovës?

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se ekziston rreziku për tensione të reja.

Sipas tij, nga një shtet aleat i Rusisë siç është Serbia, nuk priten lëvizje naive apo spontane; çdo zhvillim lexohet në kontekst më të gjerë gjeopolitik.

“Po, unë mendoj që rreziku për tensione të reja mbetet real nëse nuk ka llogaridhënie të qartë për sulmin. Në logjikën e sigurisë kombëtare, çdo mosndëshkim perceptohet si dobësi dhe si sinjal që terreni mund të testohet sërish. Në zona të ndjeshme si veriu, kjo rrit mundësinë e provokimeve të organizuara, operacioneve hibride dhe tensioneve të menaxhuara me qëllim destabilizimi. Nga një shtet aleat i Rusisë siç është Serbia, nuk priten lëvizje naive apo spontane; çdo zhvillim lexohet në kontekst më të gjerë gjeopolitik. Në këtë realitet strategjik, kujdesi, vigjilenca dhe analiza e thelluar e riskut janë thelbësore. Prandaj, bashkëpunimi i ngushtë dhe strategjik me NATO-n dhe veçanërisht me KFOR-in mbetet garancia kryesore e sigurisë, si në aspektin parandalues ashtu edhe në reagimin e shpejtë ndaj çdo tentative për përshkallëzim. Koordinimi me aleatët rrit koston për çdo akt destabilizues dhe forcon stabilitetin afatgjatë”, thotë Dashevci.

Image
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci

Sipas tij, pa llogaridhënie të qartë dhe pa përgjegjësi konkrete, qetësia mbetet iluzion, ndërsa tensioni mund të kthehet në strategji

“Në veri të Kosovës, drejtësia nuk është vetëm parim është vijë e kuqe e sigurisë kombëtare. Çdo sulm i pandëshkuar nuk është thjesht dështim institucional, por sinjal i rrezikshëm se destabilizimi mund të provohet sërish. Pa llogaridhënie të qartë dhe pa përgjegjësi konkrete, qetësia mbetet iluzion, ndërsa tensioni mund tw kthehet në strategji e atyre që na donë të keqen si Shtet. Natyrisht që presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë mund të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal dhe në nivelin e bashkëpunimit mes forcave të sigurisë në Ballkan, varësisht nga mënyra se si ai strukturohet dhe zbatohet”, pohon eksperti.

Kur presioni i aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, veçanërisht i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimit Evropian është i koordinuar dhe i lidhur me pasoja konkrete politike apo ekonomike, sipas Dashevcit, ulë gjasat për përshkallëzim.

Sipas tij, roli i aleatëve strategjikë të Kosovës, në krye me SHBA-në, është thelbësor.

“Nga perspektiva e marrëdhënieve ndërkombëtare të sigurisë, presioni shërben si instrument parandalues dhe si mekanizëm kushtëzimi politik që synon orientimin e sjelljes së një shteti drejt normave dhe standardeve ndërkombëtare. Kur presioni i aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, veçanërisht i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimit Evropian, është i koordinuar dhe i lidhur me pasoja konkrete politike apo ekonomike ul gjasat për përshkallëzim. Në këtë kuptim, ai kontribuon në forcimin e stabilitetit rajonal, sepse ndikon në kalkulimet strategjike të aktorëve shtetërorë dhe i shtyn ata drejt dialogut dhe respektimit të marrëveshjeve ekzistuese. Roli i aleatëve strategjikë të Kosovës, në krye me SHBA-në, është thelbësor. SHBA gëzon ndikim të konsiderueshëm politik dhe ushtarak në rajon, si dhe kredibilitet të lartë në fushën e sigurisë përmes angazhimit në NATO dhe mbështetjes së vazhdueshme për institucionet e sigurisë së Kosovës”, shton eksperti.

Në fund, Dashevci tregon si mund të ndikojë SHBA në politikat e Serbisë, gjersa shton se nga këndvështrimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të sigurisë, presioni ndërkombëtar është më efektiv kur kombinohet me koordinim të ngushtë mes aleatëve strategjikë të Kosovës, veçanërisht SHBA-së, dhe me oferta integruese që synojnë stabilitet afatgjatë

“Përmes diplomacisë aktive, koordinimit me partnerët evropianë dhe përdorimit të instrumenteve të presionit diplomatik apo ekonomik, SHBA mund të ndikojë në orientimin e politikave të Serbisë drejt një qasjeje më konstruktive dhe më të përgjegjshme në raport me stabilitetin rajonal. Një presion i tillë i balancuar dhe i shoqëruar me perspektivë integruese mund të shërbejë gjithashtu si nxitës për rritjen e bashkëpunimit mes forcave të sigurisë në rajon. Kushtëzimi i përparimit drejt integrimit evropian me respektimin e standardeve të sigurisë dhe fqinjësisë së mirë krijon inIcIativa për transparencë, komunikim operacional dhe mekanizma të përbashkët për menaxhimin e krizave. Kjo ul rrezikun e incidenteve. E ritheksoj se nga këndvështrimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të sigurisë, presioni ndërkombëtar është më efektiv kur kombinohet me koordinim të ngushtë mes aleatëve strategjikë të Kosovës, veçanërisht SHBA-së, dhe me oferta integruese që synojnë stabilitet afatgjatë. Një qasje e tillë jo vetëm që parandalon destabilizimin, por edhe krijon kushte për bashkëpunim funksional dhe të qëndrueshëm në rajon”, përfundon Dashevci.

Të Ngjashme