Ekspertët kanë zbuluar saktësisht se sa hapa duhen për të djegur kaloritë e ushqimeve dhe pijeve më të preferuara të festave të fundvitit – dhe lajmi është veçanërisht i mirë për dashamirët e shampanjës, verës dhe mushtit (cider).
Të dhënat vijnë nga një indeks i publikuar nga WeWard, një aplikacion ecjeje që shpërblen përdoruesit bazuar në numrin e hapave që bëjnë çdo ditë.
Studiuesit analizuan kaloritë në porcione standarde të ushqimeve dhe pijeve festive dhe më pas i përkthyen ato në numrin e hapave dhe kohën e nevojshme për t’i djegur, bazuar në një të rritur mesatar që ecën me ritëm të moderuar.
Pijet festive: Shampanja kryeson listën
Mes pijeve, shampanja rezultoi më e lehta për t’u djegur. Një gotë e vetme përmban rreth 90 kalori, të cilat kërkojnë vetëm 1.692 hapa – ose rreth 17 minuta ecje.
Në vendin e dytë u renditën vera dhe cider-i, secila me rreth 120 kalori, që përkthehen në 2.256 hapa ose 23 minuta ecje.
Në vendin e tretë ishte mimoza, me rreth 140 kalori, që kërkon 2.632 hapa ose 26 minuta ecje.
Edhe pijet më kalorike në listë nuk kërkojnë ecje shumë të gjata për t’u balancuar.
Për shembull, një espresso martini përmban rreth 160 kalori dhe do të kërkonte 3.000 hapa, pra rreth 30 minuta ecje.
Një hot toddy (pije e ngrohtë me uiski, mjaltë, limon dhe erëza) kërkon 3.196 hapa ose afërsisht 32 minuta ecje.
Asnjë nga pijet e analizuara nuk kërkonte më shumë se 40 minuta ecje për t’u djegur.
Çokollata e nxehtë u rendit ndër më kaloriket, duke kërkuar 3.647 hapa, ekuivalente me 36 minuta ecje.
Ndërsa eggnog-u dhe birra kryesuan listën, me 3.948 dhe 3.910 hapa respektivisht – të dyja rreth 39 minuta ecje.
Ushqimet festive: Gjeli i detit më i lehti për t’u djegur
Indeksi analizoi gjithashtu ushqime tradicionale festive, përfshirë disa elemente tipike të një darke klasike të Krishtlindjeve.
Gjeldeti i pjekur rezultoi ushqimi më i lehtë për t’u djegur. Një porcion standard përmban rreth 142 kalori, që kërkojnë 2.858 hapa ose rreth 29 minuta ecje.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo llogaritje bazohet në një porcion të caktuar dhe se porcionet më të mëdha do të kërkonin më shumë ecje.
Në vendin e dytë u renditën patatet e pjekura, me rreth 190 kalori, që kërkojnë 3.572 hapa ose 36 minuta ecje.
Mbushja (stuffing) rezultoi më “sfiduese”. Një porcion përmban rreth 356 kalori, që do të kërkonin 6.693 hapa ose afërsisht 67 minuta ecje – më shumë se dyfishi i kohës së nevojshme për gjeldetin.
Sa hapa duhen në ditë për shëndet?
Ekspertët e shëndetit kanë rekomanduar prej kohësh rritjen e numrit të hapave ditorë për të përmirësuar shëndetin e zemrës, për të ndihmuar në humbjen e peshës dhe për të përmirësuar mirëqenien mendore. Shifra 10.000 hapa në ditë shpesh përmendet si një objektiv popullor.
Megjithatë, studime më të fundit sugjerojnë se edhe një qasje më modeste mund të sjellë përfitime të mëdha.
Shkencëtarët kanë zbuluar se përfshirja e një ecjeje të rregullt 15-minutëshe në ditë mund të ulë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe vdekjes së parakohshme.
Personat që ecnin rregullisht rreth 15 minuta në ditë kishin deri në 85 për qind më pak rrezik për vdekje të hershme, krahasuar me ata që ecnin vetëm në intervale shumë të shkurtra prej pesë minutash.
Përfundimi i studiuesve ishte i qartë: ndryshime të vogla dhe të qëndrueshme në modelin e ecjes, pa rritje drastike të numrit të hapave, mund të sjellin përfitime të rëndësishme për shëndetin.
