80 vota i duhen një kandidati për t’u zgjedhur president i vendit.
Por këto vota, si duket nuk i ka edhe presidentja aktuale Vjosa Osmani për t’u rizgjedhur edhe një herë në krye të kësaj detyre.
E në një intervistë televizive, shefja e kabinetit të Osmanit, Learta Hollaj ka dhënë sugjerimin që zgjedhja e presidentit të bëhet nga populli duke ndryshuar amdamentet e Kushtetutës.
Por sa janë gjasat që të ndodhë një gjë e tillë?
“Çështja e miratimit në Kuvend është pak problem meqenëse duhet 2/3 e votave për ndryshimin e amadamentit të Kushtetutës që të bëhet zgjedhja e presidentes me votat drejtpërdrejtë nga qytetari. Nuk shpresoj fare për momentin pasi gjendja ndërmjet partive politike është jashtëzakonisht e rëndë, dhe nuk kanë raporte ndërmjet veti. Për me mujt me ndodh ajo duhet të ketë vullnet nga të gjitha partitë politike që të vijë deri të ndryshimi”, shprehet Hasan Shala, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit
Pavarësisht vështirësive, kësaj rruge duket se i ka hyrë vet Osmani.
Shefja e shtetit njoftoi të enjten se i ka dërguar Kuvendit të Kosovës amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të vendit direkt nga populli.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli”, ka shkruar Osmani.
Menjëherë pas kësaj, reagoi kryetarja e Kuvendit.
Albulena Haxhiu, i dha mbështetje nismës së presidentës.
“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, u shpreh Haxhiu.
Të pamundur po e sheh edhe njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri.
“Unë besoj që kjo nuk mund të ndodh tash sepse ka afate ligjore kur duhet të bëhen ndryshime dhe kur mund të jepet efekti i tij i parë. Prandaj unë mendoj që kjo është e pamundur tash në moment, pasi për t’u shpallur zgjedhje duhet të shpallen 45 ditë paraprakisht. Ne nuk e dimë se çfarë thotë Kushtetuta pasi Kushtetuta nuk e sheh fare këtë pjesë”, shprehet ai.
Por një draft amadament i cili mundëson zgjedhjen e presidentit nga populli gjendet në sirtarët e presidencës.
“Ka qenë vitit 2018, kur presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, ka përgatitur një komision në të cilën edhe unë kam qenë pjesë për ndryshimin e Kushtetutës dhe ndryshimin për Ligjin për Zgjedhje. Kështu që kemi punuar dhe ai dokument si për ndryshimin e Kushtetutës ashtu edhe për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje gjendet në presidencë. Nuk ka nevojë më përgatit shumë vetëm atë me dërgu në Kuvend dhe me u miratu”, thotë Hasan Shala.
Por sipas Shalës, në atë draft amadament nuk parashihen ndryshime të kompetencave të presidentit edhe në rast që zgjidhet përmes popullit.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.
