Gjumi shumë i shkurtër ose shumë i gjatë shoqërohet me plakjen më të shpejtë të organeve, dhe kohëzgjatja optimale e gjumit është midis 6.4 dhe 7.8 orësh gjatë një nate, sipas një hulumtimi nga një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Kolumbias.
Gjumi shumë i pakët në përgjithësi konsiderohet i pashëndetshëm – studime të shumta sugjerojnë se e bën trupin më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe plakjes së parakohshme, dhe mendjen më të prirur ndaj rënies njohëse në fazat e hershme të jetës.
Në të njëjtën kohë, gjumi i tepërt nuk ka efektin e kundërt, sipas mjekëve nga Qendra Mjekësore Irving e Universitetit Columbia.”Gjumi shumë i pakët dhe shumë i tepërt shoqërohet me plakje më të shpejtë në pothuajse çdo organ, duke mbështetur idenë se gjumi është i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të organeve brenda një rrjeti të koordinuar tru-trup, duke përfshirë ekuilibrin metabolik dhe një sistem imunitar të shëndetshëm”, tha Junhao Wen, profesor asistent i radiologjisë në Columbia.
Në një studim të botuar në revistën Nature, ekipi vlerësoi të dhënat e gjysmë milioni njerëzve në Britaninë e Madhe dhe zbuloi një lidhje të mundshme me gjasat që një person që fle në mënyrë të parregullt të zhvillojë depresion.
“Plakja më e vogël u vu re tek njerëzit që raportuan midis 6.4 dhe 7.8 orëve gjumë në ditë, duke sugjeruar që si gjumi i pamjaftueshëm ashtu edhe ai i tepërt mund të jenë tregues të shëndetit të përgjithshëm më të dobët”, shtoi ai.
Çdo gjë më pak se gjashtë orë konsiderohet gjumë i shkurtër, ndërsa më shumë se tetë orë është ndoshta shumë.
