LifeStyle

​Sa shumë duhet të ecni në ditë për të zgjatur jetën tuaj

Ndryshimet e vogla, por të rregullta në nivelin e aktivitetit fizik mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin dhe jetëgjatësinë tonë.

Shkencëtarët kanë zbuluar se sa shumë ecje ditore është e nevojshme për të zgjatur jetën tuaj me një vit, pasi dihet se aktiviteti i rregullt fizik ul ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të rënda si sëmundjet e zemrës, goditjet në tru, diabeti i tipit 2 dhe kanceri.

NHS rekomandon që të rriturit të jenë fizikisht aktivë çdo ditë, duke kombinuar ushtrimet për ndërtimin e muskujve me ushtrimet aerobike, duke synuar 150 minuta në javë.

Megjithatë, hulumtimet e reja tregojnë se edhe ecja për vetëm dhjetë minuta në ditë mund të zgjasë jetën për një vit të tërë, veçanërisht te njerëzit mbi 60-vjeç, shkruan Daily Mail.

Një studim nga Britania e Madhe zbuloi gjithashtu se burrat përfituan më shumë nga ecja sesa gratë. Ecja e rregullt mund të zgjasë jetëgjatësinë e grave për gati 11 muaj, ndërsa mund të shtojë edhe 16 muaj për burrat.

Rritja e kohëzgjatjes dhe intensitetit të ecjes mund t’i rrisë këto shifra, kështu që ecja 30 minuta në ditë mund të shtojë 16 muaj jetë për gratë dhe pothuajse dy vjet e gjysmë për burrat.