Studiuesit kanë identifikuar një prag të qartë javor të konsumit të THC-së, përtej të cilit rritet rreziku për çrregullim nga përdorimi i kanabisit (CUD). Duke përdorur njësi standarde THC, të përcaktuara si 5 mg THC për njësi, studimi zbuloi se konsumimi i më shumë se 8.3 njësive në javë te të rriturit (rreth 41 mg THC) dhe mbi 6 njësi në javë te adoleshentët (rreth 30 mg THC) lidhet me rritje të rrezikut për çdo formë të CUD-së.
Pragje edhe më të larta u shoqëruan me rrezik për CUD të moderuar deri në të rëndë: 13.4 njësi në javë për të rriturit dhe 6.45 njësi për adoleshentët. Studimi britanik, që përfshiu të rritur dhe të rinj, tregoi se përdorimi i njësive javore standarde të THC-së është një metodë e saktë për të identifikuar rrezikun e këtij çrregullimi.
Autorja kryesore, Rachel Lees Thorne nga Universiteti i Bath-it, theksoi se 8 njësi THC në javë përkojnë me rreth 0.33 gram kanabis bimor në tregun britanik. Sipas saj, kjo është një sasi më e ulët nga sa konsumojnë zakonisht përdoruesit e rregullt, duke treguar se CUD mund të shfaqet edhe me nivele relativisht të ulëta konsumi.
Studiuesit vlerësojnë se ky studim është i pari që përcakton pragje rreziku për CUD bazuar në njësi standarde THC, në mënyrë të ngjashme me njësitë e alkoolit që përdoren për të vlerësuar rrezikun nga pirja. Gjetjet u publikuan me 12 janar në revistën Addiction.
Rreth 22% e personave që përdorin kanabis zhvillojnë CUD, një model përdorimi që sjell shqetësime ose dëmtime të rëndësishme në funksionimin e përditshëm. Në Mbretërinë e Bashkuar, kanabisi përmendet si droga kryesore problematike nga 87% e të miturve në programe trajtimi.
Studimi u bazua në të dhënat e projektit CannTeen, që përfshiu 65 të rritur dhe 85 adoleshentë nga Londra. Konsumi u mat sipas sasisë, shpeshtësisë dhe fuqisë së kanabisit, ndërsa diagnoza e CUD-së u vendos sipas kritereve të DSM-5.
Ekspertët vlerësojnë se përdorimi i njësive standarde THC mund të ndihmojë mjekët dhe studiuesit të flasin më qartë me pacientët dhe të përcaktojnë nivele më të sigurta konsumi. Edhe pse kanabisi përmban shumë përbërës aktivë, THC-ja konsiderohet një pikënisje e domosdoshme për vlerësimin e rrezikut dhe edukimin e publikut. / Medscape – Syri.net
