Lajme

Saim Tahiraj: Veprimi i Xhafer Tahirit bie ndesh me parimet perëndimore të LDK-së

Në Vushtrri u arrit koalicion mes kandidatit të LDK-së, Xhafer Tahiri, dhe atij të VV-së, Sylejman Meholli, në prani të kryeministrit Albin Kurti.

Kurti tha se bashkëqeverisja synon të sjellë përfitime për qytetarët, ndërsa Tahiri theksoi se koalicioni nuk është kundër askujt, por në dobi të qytetit.

Kurse, LDK e quajti të papranueshëm veprimin e kandidatit, Xhafer Tahiri, për të cilin thotë se pas analizimi të performanës së tij dhe Degës së Vushtrrisë do të ndërmerren veprime përkatëse.

“Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Veprimtari Saim Tahiraj, e quajti vendimin e Xhafer Tahirit për koalicion me Vetëvendosjen akt personal dhe në kundërshtim me parimet e LDK-së.

Ai tha se reagimi i kryesisë është i drejtë dhe se LDK duhet të mbetet e përkushtuar ndaj vlerave demokratike e perëndimore, pa toleruar ndikime autoritare apo ideologji lindore.

“Veprimi i z. Xhafer Tahiri për të hyrë në koalicion me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje është një akt personal dhe i padrejtë. Ky veprim bie ndesh me parimet dhe vendimet e strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke i ngjarë një praktike autoritare ku “imami” vendos për të gjitha, sikurse në sistemet që udhëhiqen nga fryma e sheriatit.

Reagimi i kryesisë së LDK-së është i drejtë dhe i domosdoshëm. Duhet t’u ndalet hovi atyre që veprojnë në kundërshtim me parimet themelore të partisë dhe që bartin me vete frymën e ideologjive lindore, të huaja për LDK-në dhe për orientimin evropian të Kosovës.

LDK-ja, që nga themelimi i saj, është ndërtuar si një parti me program dhe statut të bazuar në vlerat demokratike dhe perëndimore. Këto parime janë themeli i ekzistencës sonë politike dhe duhet të respektohen pa asnjë kompromis”, tha ai.

Tutje, Tahiraj, se Xhafer Tahiri vazhdimisht ka vepruar kundër frymës së LDK-së, duke ndjekur ideologji lindore që bien ndesh me vlerat evropiane të partisë. Ai shtoi se LDK duhet të ruajë identitetin e saj perëndimor dhe të distancohet nga elementët që devijojnë nga ky kurs.

“Z. Tahiri nuk është hera e parë që vepron në mënyrë të tillë; edhe në të kaluarën, me veprimet e tij, ka dëmtuar LDK-në. Ai e ka mendjen dhe zemrën në Lindje, ndërsa trupin në LDK – për këtë arsye sjelljet e tij janë në përplasje të vazhdueshme me frymën demokratike të partisë.

Ideologjitë lindore nuk përputhen me programin dhe vizionin e LDK-së, që qëndron fuqishëm mbi kulturën dhe traditën politike evropiane. Në Evropën Perëndimore, respektimi i ligjit dhe demokracisë është vlerë sublime – dhe këto janë vlerat mbi të cilat qëndron LDK-ja.

Z. Tahiri do ta gjente veten më mirë në parti si ajo e Ferid Aganit apo Gëzim Kelmendit, me të cilët e lidh ideologjia e njëjtë. LDK-ja, ndërkaq, mund të qëndrojë dhe të forcohet vetëm mbi bazën e vlerave evropiane, mbi të cilat është formuar, zhvilluar dhe po vazhdon rrugëtimin e saj politik.

Nga elementë të tillë duhet pasur kujdes, sepse nuk ndjekin kursin që ndjek LDK-ja. Ideologjitë lindore që na janë imponuar ndër shekuj duhet flakur jashtë trojeve shqiptare, sepse historikisht kanë dëmtuar identitetin tonë kombëtar dhe evropian” – përfundoi ai për “Bota sot”.