Lajme

Saimir Tahiri s’heq dorë nga zakoni i vjetër/ Zbulohet investimi i ri i familjes së tij në transportin detar

Jo vetëm në biznesin e ndërtimit, agroturizmit apo mjekësisë estetike. Duket se familjarët e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë investuar edhe në biznesin e transportit detar të udhëtarëve.

VNA ka siguruar dokumentat, sipas të cilave rezulton se kompania “HTC Group” me përfaqësuese Fatlinda Tahirin, bashkëshorten e ish-ministrit të Brendshëm, ka marrë licensë për trasportin detar të mallrave dhe udhëtarëve

Sipas dokumentave zyrtarë në QKB, kompania “HTC Group” e Fatlinda Tahirit zotëron 30% të kuotave të kompanisë “Albania Luxury Ferries” sh.p.k. që i është dhënë licenca për të transportuar udhëtarë me traget. Subjekti në fjalë rezulton se është themeluar me 7 dhjetor 2023, ndërsa data e regjistrimit është 04/01/2024. Ortakët e tjerë të kësaj kompanie janë Evangelia Barmpagianni që zotërin 12.50 %, Stefan Kolonja, 15 %, Lori Sina 7.50 %, Konstantinos Antiochos, 12.50 %, Oltian Kapa 15.00 %, Entela Mekuli 7.50 %.

Licenca e kompanisë “Albania Luxury Ferries” sh.p.k është miratuar me 11 qershor 2024 me afat deri më 31 dhjetor 2024. Objekti i veprimtarisë është: “Transport ndërkombëtar detar i mallrave dhe njerëzve”.

Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm është dënuar për shpërdorim detyre nga drejtësia dhe aktualisht ndodhet duke vuajtur dënimin në shtëpi, sipas një vendimi të gjykatës së Elbasanit. Më herët, Prokuroria për Krime të Rënda e akuzoi z.Tahiri për favorizimin të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës.

Dosja penale ndodhet aktualisht në Gjykatën e Lartë. Tahiri përmes familjarëve ka biznese të shumta ku së fundmi investimet përfshijnë dhe atë të trasportit detar, e pikërisht në Sarandë, ku lufta për kontrollin e Portit ndër vite ka shkaktuar viktima dhe përplasje të forta mes pronarëve të anijeve.

Aq të forta janë përplasjet sa vetëm pak ditë më parë, biznesmeni Armandi Nelaj, thuri plan për të hedhur në erë, anijen ‘Finikas Lines’ të linjës Sarandë Korfuz në pronësi të Andrea Qirjakos.

Pasioni i ish ministrit të brendshëm për detin ka qenë i njohur për publikun. Pak kohë pasi u shkarkua nga detyra, prokuroria gjeti në makinën e biznesmenit Orest Sota patentëm për mjetet motorrike detare të Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij. Që mesa duket pasionin e kanë shndërruar në investim për transportin detar. Me pikëpyetjen e vogël: nga burojnë këto para për investime? /VNA