Kryetari i Komisionit Hetimor Ervin Salianji ka deklaruar se ndërhyrja në sistemin TIMS është bërë për të ndihmuar grupet kriminale. I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Salianji është shprehur se opozita ka pretendime për shitje të të dhënave të TIMS. E ndërsa shton se PS po përpiqet që të bëhet pengesë për mbarëvajtjen e hetimeve të Komisionit, pasi i frikësohet rezultateve përfundimtare.
“PS ka tendenca që të bëhet karrikadë, për të mbrojtur njerëz, ka tentuar të bllokojë kërkesat për informacion. Kemi pretendime për shitje të të dhënave të TIMS. Komisioni Hetimor për TIMS mund të thërrasë dhe persona që janë në arrest shtëpie”,- tha Ervin Salianji.
Kryetari i këtij Komisioni, Ervin Salianji tha se në fokus të hetimeve do të jetë edhe mënyra se si është emëruar drejtori i IT, Ervin Muça. Sipas tij, vendosja e një personazhi të tillë në krye të policisë së shtetit, lë vend për dyshime.
“Ervin Muça është një personazh problematik. Muça nuk ka pasur certifikatë personale, ishte siç thotë populli “shih e shkruaj”. Sesi mund ta vendosësh atë personazh në krye të IT të Policisë së Shtetit, unë nuk e di. Ky person është në hetim nga Prokuroria e Tiranës. Jam i bindur se Komisioni Hetimor do të nxjerrë të tjera të palara. Në fokus të Komisionit Hetimor do jetë mënyra sesi Muça është emëruar. Ne pretendojmë se ka ndërhyrje për të ndihmuar grupet kriminale”, tha kryetari i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS”,- Ervin Salianji.