Lajme

Salihaj paralajmëron krizë të re: Dështimi i presidentit mund ta çojë Kosovën sërish në zgjedhje

Dje u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe u formua Qeveria e re, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë të pasigurisë dhe bllokadës institucionale.

Megjithatë, kërkesa e PDK-së në Gjykatën Kushtetuese mund të hapë një tjetër dilemë për legjitimitetin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Ish-deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka thënë se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk i japin fund krizës, pasi dështimi i zgjedhjes së presidentit mund t’i zhvlerësojë këto institucione dhe ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.

“Në rrethana tjera do ta kishim konsideruar ngjarje të madhe konstituimin e Kuvendit dhe votimin e Qeverisë. Ky do të ishte epilogu i zgjedhjeve. Në rrethanat që i kemi, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë vetëm sa na çojnë në prag të mundësisë së dështimit të ri të të gjitha institucioneve tona, sepse dështimi i zgjedhjes së presidentit, i zhvlerëson edhe këto dy institucionet të formuara.

Klasa politike, e barrikaduar në inate primitive dhe interesa meskine, po na dërgon sërish drejt zgjedhjeve të reja. Ndërsa zgjedhjet e reja, të katërtat me radhë brenda dy vjetësh, ka rrezik të madh që të mos jenë të fundit në ciklin e përsëritjeve. Kosova nuk po arrin të dalë nga rrethi vicioz dhe jemi në prag të dështimit si shtet. Para gjithë botës jemi duke dëshmuar në mënyrë të përsëritur se për shkak të inateve primitive, jemi në gjendje ta shkatërrojmë shtetin”, u shpreh ai.

Ai tha qartë se ata që dëmtojnë dhe rrënojnë institucionet e shtetit, nuk mund të jenë përfaqësues të qytetarëve.

“Këtë shtet për të cilin janë sakrifikuar me dhjetëra mijëra shqiptarë të brezave të kaluar, janë dhunuar mijëra gra, motra e nëna tona, janë djegur të gjallë, janë vrarë e masakruar gra, pleq e fëmijë. Ata që nuk kanë ndjenja për të gjitha këto, nuk kanë pse i duhen shtetit, prandaj ne nuk kemi arsye që t’i legjitimojmë me votën tonë dhe t’i delegojmë në institucione. Ata që shembin institucionet e shtetit, nuk mund të jenë përfaqësuesit tanë” – përmbylli ai.

Të Ngjashme