Lajme

Sami Lushtaku paralajmëron padi ndaj Kurtit

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Albin Kurti, duke i quajtur ato të pavërteta dhe shpifëse.

Në një reagim publik, Lushtaku ka mohuar pretendimet e Kurtit lidhur me një incident në Skenderaj gjatë vitit të kaluar, ku ishte përmendur një “tentativë sulmi me makinë”.

Ai ka theksuar se për rastin ekzistojnë raporte zyrtare të policisë dhe pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se nuk ka pasur rrezikim të sigurisë në komunikacion dhe se çështja është mbyllur nga institucionet përgjegjëse.

Lushtaku ka bërë të ditur se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Kurtit për deklaratat e bëra publikisht.

“Albin Kurti po vazhdon me gënjeshtra e shpifje publike duke pretenduar rrejshëm për një “tentativë sulmi me makinë” në Skenderaj gjatë vitit të kaluar nga ana ime. Për këtë rast ekziston raport zyrtar policor dhe pamje të kamerave të sigurisë, ku është konstatuar se nuk ka pasur asnjë lloj rreziku të sigurisë në komunikacion dhe rasti është mbyllur nga organet kompetente. Meqë po vazhdon me shpifje e sulme ndaj meje, nga nesër do të inicioj padi për këtë çështje”, ka shkruar ai në Facebook.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe qeverisjen aktuale, duke akuzuar Kurtin për mungesë projektesh madhore dhe për krijim të përçarjeve politike në vend.

“Albin, pas 6 vitesh në pushtet, Kosovës nuk i le asnjë projekt madhor, por vetëm propagandë, përçarje dhe viktimizim politik.Mjaft më”, ka përfunduar Lushtaku.

Të Ngjashme