Shëndetësi

Sasia e gramëve të frutave arrore në ditë të cilën duhet patjetër ta hani, në mënyrë që truri juaj të jetë i shëndetshëm

Konsumimi i rregullt i frutave arrore mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për funksionet njohëse të njerëzve të moshuar, duke ulur gjithashtu rrezikun për zhvillimin e demencës. Kështu konfirmon një studim i realizuar në Australi me pjesëmarrjen e 4.822 meshkujve dhe femrave mbi moshën 55-vjeçare, sipas të cilit individët që konsumonin më shumë se 10 gramë fruta arrore në ditë kishin kujtesë dhe aftësi mendore dukshëm më të mira sesa ata që nuk konsumonin fare.

Hulumtimi, i udhëhequr nga Dr. Ming Li në University of South Australia, tregoi se përfshirja e frutave arrore në dietën e përditshme mund të përmirësojë funksionet kognitive deri në 60%. Kikirikët u renditën si fruti aror më i konsumuar dhe njëkohësisht më ekonomik, i pasur me përbërës që ndikojnë pozitivisht në shëndetin e trurit.

Sipas ekspertëve, frutat arrore përmbajnë antioksidantë, përbërës kundërinflamatorë, yndyra të shëndetshme, proteina dhe fibra që ndihmojnë në ruajtjen e strukturës dhe funksioneve të trurit. “Edhe pse nuk mund të rikthejmë funksionet e humbura kognitive, mund të ngadalësojmë procesin e rënies me zgjedhje të shëndetshme të jetesës, dhe frutat arrore janë një nga to,” tha Dr. Li.
Studiuesit theksojnë se ndërsa popullsia po plaket me ritme të shpejta në nivel global, ushqimi i shëndetshëm dhe ndërhyrjet parandaluese nëpërmjet dietës bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për përballimin e sfidave që lidhen me çrregullimet neurodegjenerative.

Këshillat e studimit:

• Sasia ideale: 10–15 gramë në ditë (rreth një lugë gjelle apo një grusht i vogël)
• Frutat më të rekomanduara: kikirikë, bajame, arra, lajthi
• Mënyra e konsumit: pa kripë dhe të papërpunuara industrialisht
Për të ruajtur një tru të shëndetshëm, një grusht i vogël frutash arrore në ditë mund të jetë një hap i thjeshtë, por efektiv.

Të Ngjashme