Deputetët e Kuvendi i Kosovës do të mbajnë sot një seancë të jashtëzakonshme plenare nga ora 15:00, ku do të shqyrtohen dhe ratifikohen disa marrëveshje ndërkombëtare dhe Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026.
Në rendin e ditës përfshihen edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi instrumentin për reforma dhe rritje.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim.
Shqyrtimi i marrëveshjeve të kredisë për projekte strategjike, përfshirë “Kompas” për forcimin e sistemit të shëndetësisë dhe projektin e “Edukimit në fëmijërinë e hershme dhe kujdesit për kapitalin njerëzor të Kosovës”, njofton zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, deputetët do të zhvillojnë shqyrtimin e parë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. Seanca do të zhvillohet në sallën e seancave të Kuvendit.
