Lajme

Sejdiu kujton Flora Brovinën: Luanesha jonë, pusho e qetë, Kosova e ka lirinë

Një fjalim thellësisht emocionues dhe i mbushur me mesazhe patriotike ka karakterizuar akademinë përkujtimore, ku u nderua jeta dhe vepra e veprimtares së njohur, Flora Brovina. Gjatë këtij fjalimi, ish-përfaqësuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pleurat Sejdiu theksoi se “luanesha e Kosovës” mbeti aktive deri në ditët e saj të fundit, duke e mbyllur jetën me brengën për fatin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen aktualisht në Hagë.

Atmosfera në sallë u rëndua nga emocionet kur ai deklaroi se në çdo karrige të atij ambienti shihej prania e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Këto figura u përshkruan si të pranishme shpirtërisht mes atyre që kishin ardhur për të nderuar doktoreshën e ndjerë, duke theksuar mungesën dhe sakrificën e vazhdueshme të liderëve.

Për më tepër ai riktheu në vëmendje demonstratat e vitit 1981 dhe figurën emblematike të Afrim Zhitisë.

Sejdiu: Po i shoh në sallë Thaçin, Veselin e Selimin, mbrëmë në protestë e pash Zhitinë

“Të pushojë e qetë sepse këtu në sallë në çdo karrige e shoh Hashim Thaçin, e shoh Kadri Veselin, e shoh Rexhën. Ata janë në mesin tonë sepse mbrëmë, më kujtuan demonstratat e 81-shit. Kur shkuam në shtëpi disa më të vjetër thanë se i burgosën të gjithë, s’ka më ku të shkojë kjo punë. Unë mbrëmë në qytet i pashë… pashë Afrim Zhitinë. Ajo është gjeneratë që e di çfarë është liria dhe liria nuk jepet. Prandaj doktoreshë, luanëshja jonë, pusho e qetë sepse Kosova e ka lirinë dhe nuk jepet liria”, tha Sejdiu.

Të Ngjashme