Kuriozitete

Sekreti i fundit i Kleopatrës: Zbulohet një port në Egjipt që mund të çojë në varrin e saj

Shumë arkeologë besojnë se Kleopatra, faraonia dhe sundimtarja e fundit e dinastisë Ptolemaike, është varrosur pranë pallatit mbretëror në Aleksandri. Por arkeologia Kathleen Martinez, e cila prej dy dekadash kërkon varrin e mbretëreshës për National Geographic, mendon se çelësi i misterit ndodhet në Taposiris Magna – një tempull rreth 50 kilometra në perëndim të qytetit.

Së fundmi, ekipi i saj ka zbuluar një port të fundosur në Detin Mesdhe, që mund të ketë qenë aktiv në kohën e Kleopatrës. Zbulimi, i njoftuar nga Ministria Egjiptiane e Turizmit dhe Antikiteteve, tregon se Taposiris Magna ishte jo vetëm një qendër fetare, por edhe një pikë e rëndësishme tregtare dhe detare.

Martinez beson se Kleopatra dhe Mark Antoni mund të jenë varrosur aty, pranë tempullit të perëndeshës Isis, me të cilën mbretëresha identifikohej shpirtërisht. Në vitin 2022, ekipi i saj gjeti edhe një tunel 1,300 metra të gjatë nën tokë, si dhe qindra objekte të periudhës ptolemaike, përfshirë monedha me portretin e Kleopatrës.

Për kërkimin nënujor, Martinez u ndihmua nga arkeologu i njohur Bob Ballard, zbuluesi i Titanikut. Ai identifikoi struktura të mëdha të ndërtuara nga njeriu, mes tyre “Salam 5” dhe “Tre Motrat”, që sipas arkeologëve ishin pjesë e një porti të lidhur me tempullin.

“Për mua është vetëm çështje kohe,” thotë Martinez, e bindur se është më pranë se kurrë për të zbuluar varrin e fundit të Kleopatrës. Dokumentari “Sekreti i Fundit i Kleopatrës” do të shfaqet premierë më 25 shtator në National Geographic.

Të Ngjashme