BBV

Sekuestrimi i eksplozivit në ndez alarmin – Ish-hetuesi tregon përdorimet e mundshme kriminale

Policia e Kosovës sekuestruar 156 kg eksploziv komercial në një lokacion të pabanuar në fshatin Jagnjenicë, komuna e Zubin Potokut..

Eksplozivi është prodhim i kompanisë serbe “Trayal Korporacija A.D.”, drejtuar nga Millosh Neneziq, i njohur për lidhjet me Partinë Përparimtare Serbe dhe ish-zyrtarë të sigurisë serbe.

Lidhur me këtë, ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se sekuestrimi i eksplozivit në Zubin Potok është një rast serioz dhe alarmues për sigurinë dhe stabilitetin politik.

Image
Ish-hetuesi, Agim Rexhepi

Sipas tij, aksioni tregon kapacitet të lartë operativ të Policisë së Kosovës, ndërsa sasia e madhe e eksplozivit dhe vendndodhja e tij sugjerojnë përdorim të mundshëm kriminal ose destabilizues, jo civil.

“Rasti i sekuestrimit të 156 kg eksploziv komercial në Zubin Potok është serioz dhe alarmues, si nga aspekti i sigurisë publike ashtu edhe nga ai politik e strategjik.

Ky aksion i Policisë së Kosovës dëshmon kapacitet operacional dhe inteligjencë funksionale në një zonë të ndjeshme të vendit. Sasia e eksplozivit të sekuestruar është dukshëm përtej çdo përdorimi civil të zakonshëm dhe fakti që ishte i vendosur në një lokacion të pabanuar sugjeron qartë ruajtje të qëllimshme për përdorim të mundshëm kriminal apo destabilizues, jo aktivitet të ligjshëm ekonomik”, ka thënë ai .

Gjithashtu, Rexhepi ka nënvizuar se eksplozivi i sekuestruar vjen nga një kompani serbe e lidhur me pushtetin, duke treguar rrezikun dhe qëllimet e mundshme të përdorimit të tij.

“Origjina e eksplozivit nga një kompani serbe e lidhur me struktura të pushtetit dhe ish-zyrtarë të sigurisë në Serbi, ngre dyshime të forta për:

kanale të organizuara të furnizimit ilegal,

mbështetje ose tolerim institucional, të paktën në nivel politik ose paralel, dhe një strategji të njohur tashmë për mbajtjen e presionit të vazhdueshëm të sigurisë në veri të Kosovës, përmes mjeteve asimetrike.

Edhe nëse nuk flitet për një operacion shtetëror formal, rasti përshtatet me modelin e veprimit të strukturave hibride: aktorë “jozyrtarë”, por të lidhur ngushtë me pushtetin, që veprojnë për interesa politike dhe gjeostrategjike”, ka theksuar ai.

Tutje, Rexhepi ka shpjeguar se megjithëse eksplozivi komercial përdoret në miniera dhe ndërtim, në duar të gabuara ai mund të shkaktojë dëme masive.

“Eksplozivi komercial i prodhuar nga kompani si “Trayal” përdoret zakonisht në: miniera,

ndërtim të rëndë, shpërthime industriale të kontrolluara.

Por, në duar të gabuara, ai mund të:

shkaktojë dëme masive infrastrukturore (ura, rrugë, objekte publike),

rrezikojë jetë njerëzish në shkallë të gjerë,

përdoret për akte terroriste ose sabotime,

dhe të krijojë panik, pasiguri dhe destabilizim politik.

Sasia prej 156 kg është e mjaftueshme për pasoja shumë të rënda, sidomos nëse do të përdorej në zona të banuara ose kundër objekteve kritike”, ka shpjeguar ai.

Në fund, Rexhepi tha se rasti nuk është incident i izoluar, duke theksuar nevojën për veprim të shtuar të institucioneve dhe mbështetje ndërkombëtare ndaj kërcënimeve hibride.

“Ky rast nuk duhet parë si incident i izoluar kriminal, por si pjesë e një konteksti më të gjerë të sfidave të sigurisë në veri të Kosovës. Ai forcon argumentin se institucionet e Kosovës kanë të drejtë dhe nevojë legjitime për prani, veprim dhe vigjilencë të shtuar, si dhe për mbështetje ndërkombëtare në luftimin e kërcënimeve hibride që cenojnë stabilitetin dhe sovranitetin e vendit”, ka përfunduar Rexhepi.

Të Ngjashme