Lajme

Selmanaj: Ende e paqartë agjenda e Kuvendit të LDK-së, kjo nuk është shenjë e mirë

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka folur për media para nisjes së Kuvendit të LDK-së, ku pritet të qartësohet çështja e drejtimit të partisë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Selmanaj ka thënë se delegatët ende nuk janë të informuar për agjendën e plotë të Kuvendit, duke theksuar se nuk dihet nëse do të procedohet me votëbesim ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku apo nëse do të shqyrtohet dorëheqja e tij.

“Ende nuk e kemi të qartë agjendën e Kuvendit dhe kjo nuk është shenjë e mirë”, ka deklaruar Selmanaj.

Ai ka shtuar se paqartësia rreth procedurave po krijon dilema edhe nga aspekti statutor.

“Nuk e dimë nëse do të vendoset për votëbesim apo për shqyrtimin e dorëheqjes, e cila do të ishte antistatutare nëse hyjmë në atë cikël, pasi që statuti nuk parasheh diskutime për këtë çështje”, ka theksuar ai.

Kuvendi i LDK-së pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e udhëheqjes së partisë, në një kohë kur brenda saj janë shtuar debatet pas rezultatit zgjedhor.

Të Ngjashme