Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se nën qeverisjen e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, FSK-ja ka rënë në nivel të papranueshëm.
“Një qeveri që flet çdo ditë për forcën kombëtare dhe sovranitetin e vendit nuk është në gjendje t’u sigurojë ushtarëve tanë as bukën e përditshme”, ka shkruar Selmanaj.
Sipas tij, kjo nuk është thjesht paaftësi, por një papërgjegjësi e turpshme që tregon se për ta, fjalët janë më të rëndësishme se realiteti. Ushtarët tanë mbesin të uritur dhe të papërfillshëm.
“Për më tepër, heshtja e presidencës, që është komandantja supreme, është skandaloze dhe e papranueshme”, ka shkruar ai.
Selmanaj ka thënë se ushqimi i ushtarëve nuk është thjesht një çështje teknike, por një çështje dinjiteti kombëtar.
“Një shtet që nuk kujdeset për ushtarët e tij është një shtet që ka dështuar në detyrat më bazike. Ushtarët tanë nuk janë vetëm numra në një raport, ata janë mbrojtësit tanë dhe meritojnë çdo mbështetje dhe vlerësim. Heshtja dhe neglizhenca e institucioneve në këtë situatë nuk janë thjesht të turpshme, por edhe të rrezikshme për të ardhmen e shtetit”, ka shkruar deputeti i LDK-së.