LifeStyle

Sëmundjet e verës/ Nga SST tek virusi HPV, rëndësia e këshillave mjekësore për të rinjtë: Ja simptomat

Stina e verës i bën më të çlirët dhe i afron më shumë të rinjtë me njëri-tjetrin, duke rritur riskun për sëmundje seksualisht të transmetueshme.

Dr. Kristina Kosta, Mjeke Obstetër-Gjinekologe thotë: “Simptomat janë krruarje, skuqje, parehati në zonën intime, sekrecione të shtuara, dhimbje në fund të barkut, djegie gjatë urinimit, gjithashtu dhimbje dhe djegie gjatë marrëdhënieve seksuale.

Ato që paraqiten më shpesh tek ne janë moshat pas adoleshencës, moshat 18-23 vjeçare, që janë edhe më të shkujdesura dhe kanë një numër të madh partnerësh seksualë, nuk marrin masat e duhura mbrojtëse me përdorimin e prezervativëve, të cilët duhen përdorur që në fillim të aktit dhe kjo është thelbësore, pasi prezervativët janë mbrojtësit kryesorë nga këto sëmundje.

Tek ne vijnë vajza dhe gra të cilat paraqesin problemet që kanë dhe disi të ndrojtura tregojnë edhe për problemet e partnerëve. Meshkujt jo gjithmonë kanë simptoma, por duhet marrë mjekimi, pasi e transmetojnë sëmundjen”.

Masë tjetër është mbrojtja paraprake me vaksinën kryesisht në moshat, idealja do të ishte, para fillimit të marrëdhënieve seksuale.

Ajo më pas shton: “Përherë e më shumë shikojmë nëna që sjellin vajzat e tyre të moshave 13-14 vjeç për kryerjen e vaksinës kundër virusit HPV që shkakton në fazat e lehta tip puçrash mishtore në qafën e mitrës, ose Papilomat, dhe në fazat e avancuara, nëse mbeten të pakontrolluara me PapTest p.sh. dhe të pakuruara, mund të çojnë në kancerin e qafës së mitrës.

Kam vënë re që gra që janë në moshë vijnë tek ne me simptoma të rënduara, pasi kanë përdorur metoda popullore, që i qetësojnë për momentin, por që nuk janë zgjidhja e problemit, prandaj vizita tek mjeku gjinekolog është e domosdoshme.

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme nuk do të thotë që ka tradhti në çift, sepse mikrobet që janë seksualisht të transmetueshme, janë pjesë e florës vaginale, apo qafës së mitrës, por kur imuniteti bie, nga një virozë, apo sëmundje, apo shtatzënia ato shfaqen më tepër, në dëm të mikrobeve të mira, duke shkaktuar simptoma”.

Top Channel