Një shtetas i Kosovës është arrestuar nga Serbia në pikën kufitare Mutivodë, gjatë kthimit nga vendlindja e tij, dhe më pas është dërguar në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd.
I arrestuari është Osman Selmani, i cili aktualisht po mbahet nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.
Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe të pavërteta, dhe kanë theksuar besimin në pafajësinë e tij.
“Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës,” thuhet në reagimin e familjes.
Njoftimi:
Të nderuar familjarë, miq dhe kolegë,
Ju njoftojmë se babai ynë, Osman Selmani, është arrestuar më 01.07.2026 në pikën kufitare Mutivodë, teksa po kthehej nga vendlindja e tij. Aktualisht, ai ndodhet në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, përballë akuzave të cilat ne, si familje, i konsiderojmë të pabazuara dhe të pavërteta.
Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah.
Ju falënderojmë nga zemra për çdo mbështetje, lutje dhe fjalë inkurajuese në këto momente të vështira për familjen tonë.
