Serbia ka arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës ekzistuese për furnizim me gaz nga Rusia, njoftoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 30 mars, duke bërë që Moska të mbetet furnizuesja kryesore e Beogradit me gaz natyror.
Vuçiq njoftoi për këtë çështje pas një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin rus, Vladimir Putin.
Marrëveshja e re është për tre muaj dhe, sipas saj, Serbia do të mund të importojë 6 milionë metra kub gaz nga Rusia.
Në një konferencë për media, Vuçiq tha se çmimi i gazit do të jetë ndërmjet 320 dhe 330 dollarë për 1 mijë metra kub. Këto kushte ai i vlerësoi si “shumë të favorshme”, për çka falënderoi Putinin.
Marrëveshja afatshkurtër e arritur në dhjetor skadoi më 31 mars.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Serbia ka filluar të ulë varësinë nga gazi i Moskës, por ende më shumë se 80 për qind e nevojave për këtë i mbulon nga Rusia.
Kjo varësi nga Rusia, siç vlerëson për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë eksperti hungarez i energjisë Attila Holoda, kushtëzohet si nga faktorë ekonomikë ashtu edhe politikë
Megjithatë, ai konsideron se në këtë moment faktori ekonomik mbetet më i drejtpërdrejtë.
“Gazi rus për një kohë të gjatë i është furnizuar Serbisë me kushte relativisht të favorshme, ndërsa infrastruktura ekzistuese dhe marrëdhëniet tregtare e bëjnë këtë opsion më të lehtë në afat të shkurtër”, theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, sipas Holodas, e rëndësishme është edhe dimensioni politik, në të cilin Beogradi përpiqet të ruajë marrëdhënie stabile me Moskën, duke balancuar qartë në raport me rrugën e tij drejt BE-së.
Bashkimi Evropian po përpiqet të zvogëlojë të ardhurat e Rusisë nga energjia që i përdorpër luftën në Ukrainë dhe planifikon që deri më 1 janar 2028 të ndalojë plotësisht importin e naftës dhe gazit rus.
Ndërprerja graduale e importit të gazit rus në territorin e BE-së ka nisur në fillim të vitit dhe nuk vlen për tranzitin e gazit rus drejt vendeve të treta.
Megjithatë, BE-ja pret nga Serbia, si vend kandidat për anëtarësim, që të harmonizohet gradualisht me të gjitha vendimet.
Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Serbia tashmë blen gaz edhe nga Azerbajxhani, përmes Bullgarisë, ndërsa ndërtimi i gazsjellësit drejt Maqedonisë së Veriut, që do të mundësonte qasje në gaz natyror të lëngshëm nga Greqia, pritet të nisë këtë vit./REL.
