“Besoj se nga mesi i shtatorit duhet të kemi një datë për fillimin e gërmimit apo vlerësimit të lokacionit”, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur.
Deponia e plehrave afër fshatit Kozhle në jugperëndim të Serbisë është një nga lokacionet që, sipas autoriteteve të Kosovës, mund t’i fshehë krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/99.
Komisioni për të Pagjeturit i Qeverisë së Serbisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se kanë filluar përgatitjet për pastrimin e vendit dhe ndërtimin e një rruge hyrëse, pas së cilës gjë është planifikuar kërkimi i deponisë “Gollo Bërdo”.
Gërmimet do të kryhen me kërkesë të Kosovës, e cila e ka informuar palën serbe për mundësinë që në këtë vend të jenë varrosur eshtra të civilëve të vrarë shqiptarë, të cilët figurojnë si të zhdukur për më shumë se dy dekada.
Gara thotë për Radion Evropa e Lirë se informacionet për këtë lokacion janë siguruar nga dëshmitarë të ndryshëm dhe se përgatitjet në terren kanë filluar më 26 gusht.
Këtë lokacion, në fund të gushtit, e vizituan edhe për përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, bashkë me zyrtarë nga Kosova dhe nga Serbia.
“Ky aktivitet është zhvilluar në përputhje me përkushtimin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet përkatëse – duke u ofruar ndihmën e ekspertëve të mjekësisë ligjore – në zbardhjen e fatit të më shumë se 1.600 personave të zhdukur nga konflikti në Kosovë”, thuhet në një deklaratë të EULEX-it dhënë Radios Evropa e Lirë.
Gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë u vranë më shumë se 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Në territorin e Serbisë, që nga fillimi i viteve 2000, janë zbuluar pesë varreza masive me gati njëmijë trupa.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Zhbllokim i gërmimeve?
Për gërmimet e lokacionit afër Novi Pazarit u ra dakord nga Grupet Punuese për Persona të Zhdukur të Kosovës dhe të Serbisë në takimet në Gjenevë në fund të janarit dhe fillim të korrikut të këtij viti.
Takimet u zhvilluan pas një bllokimi trevjeçar, ndërsa palët akuzuan njëra-tjetrën për mosbashkëpunim.
Gara thotë se në takime ka propozuar që të hetohen rreth 20 lokacione në Serbi, që dyshohet se janë varreza masive apo individuale të atyre që janë zhdukur gjatë luftës.
Megjithatë, pala serbe kërkoi që t’i jepej përparësi lokacionit pranë deponisë së plehrave në lokacionin malor në Kozhle, shton ai.
Në Komisionin e Qeverisë së Serbisë për të Pagjeturit thonë se “kanë vepruar në përputhje me të gjitha kërkesat e Prishtinës, përveç lokacioneve për të cilat është rëndë dakord në mbledhjen e fundit të Grupit Punues, e që do të jenë në planin e punës për vitin e ardhshëm”.
“Deri më tani janë bërë kërkime në terren në 15 lokacione në Serbinë qendrore, të cilat nuk kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore”, thotë Komisioni në Serbi, duke akuzuar autoritetet kosovare se kanë refuzuar t’i kontrollojnë ato vende në Kosovë që i ka kërkuar Beogradi.
Prishtina i hedh poshtë akuzat. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se në territorin e vendit janë hetuar 2.700 lokacione.
Vazhdojnë akuzat e ndërsjella
Dy palët vazhdojnë të shkëmbejnë akuza edhe pas njoftimit për kërkimet në një lokacion të ri në Serbi.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha më 3 shtator në Novi Pazar se Beogradi është i gatshëm të hetojë çdo vend dhe se Prishtina është përgjegjëse për mungesën e përparimit në kërkimin e të zhdukurve.
“Të gjitha lokacionet që dikush mendon se duhet të kontrollohen, janë të disponueshme dhe do të jenë të disponueshme. Sigurisht që duhet të ketë argumente se përse flitet për ato lokacione ose përse dyshohen”, tha Vuçeviq në përgjigje të pyetjeve të REL-it.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është e përkushtuar që të verifikojë çdo informacion që kontribuon në zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.
Ai tha se shpreson se përgatitja për gërmime afër Novi Pazarit “nuk është një përpjekje e re e Serbisë për t’i shmangur lokacionet e tjera të shënuara”.
“Nuk ka kufoma, nuk ka krime – kjo ishte strategjia e Serbisë për t’i fshehur krimet e bëra ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kjo strategji po zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të [Sllobodan] Millosheviqit në Beograd”, tha Kurti më 29 gusht.
Takimet e fundit në Gjenevë u mbajtën pa udhëheqësit e komisioneve përkatëse të Kosovës dhe Serbisë, andaj autoritetet në Prishtinë nuk i konsiderojnë si të rregullta.
Tash e dy vjet, Kosova kërkon nga pala serbe ta zëvendësojë udhëheqësin e delegacionit, Velko Odalloviq, pasi ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë, e cila në vitet 1990 drejtohej nga presidenti i atëhershëm, Sllobodan Millosheviq.
Ajo e akuzon Odalloviqin për pjesëmarrje në strukturat përgjegjëse për luftën dhe për persekutimin e shqiptarëve nga Kosova.
Pala serbe i hedh poshtë akuzat dhe e refuzon këtë kërkesë të Kosovës.
Çfarë ka bërë Serbia deri më tani?
Gërmimet e fundit në Serbi janë kryer në vitin 2022, në vendin e minierës Shtaval, afër Sjenicës, në jugperëndim të këtij vendi.
As në këtë lokacion, as në Kozarevë te Novi Pazari nuk janë gjetur mbetje mortore, thonë në Komisionin serb për të Pagjeturit.
Varreza e fundit masive u zbulua në vitin 2020 në vendin e ish-minierës Kizhevak, afër Rashkës, në jug të Serbisë.
Ajo ishte varreza e pestë masive që u zbulua në territorin e Serbisë që nga viti 2001.