Sferat e Daisonit, megastrukturat hipotetike që civilizimet jashtëtokësore të përparuara mund të përdornin për të rrethuar një yll dhe për të shfrytëzuar energjinë e tij, vuajnë nga një problem fatal: ato janë tejet të paqëndrueshme. Por tani një inxhinier pretendon se ka gjetur një mënyrë për t’i stabilizuar këto struktura, dhe mjaftojnë vetëm dy yje.
Në vitet 1960, fizikani dhe dijetari Friman Daison e propozoi idenë e këtyre sferave që tani mbajnë emrin e tij. Ai imagjinoi se një shoqëri mjaftueshëm e përparuar do të kishte një nevojë të pangopur për hapësirë banimi dhe energji. Dhe nëse do të ishin mjaft të zellshëm, do të mund të zgjidhnin të dyja sfidat duke shpërbërë një planet dhe duke e kthyer atë në një guaskë sferike gjigante. Kjo sferë do të rrethonte një yll, duke ofruar sipërfaqe sa për miliarda planetë dhe duke kapur sasi të mëdha energjie diellore.
Daisoni llogariti që një guaskë e ndërtuar nga një planet me masën e Jupiterit mund të rrethonte plotësisht Diellin në një distancë afërsisht sa orbita e Tokës. Por graviteti brenda një guaske të zbrazët anulohet, që do të thotë se nuk ka asgjë që ta mbajë guaskën të lidhur me yllin. Ato mund të lëvizin lirshëm në drejtime të ndryshme, që do të thotë se, shpejt a vonë, një yll që ka një sferë Daisoni rreth vetes thjesht do të përplaset me guaskën dhe do ta shkatërrojë.
Në një artikull të publikuar më 29 janar në revistën Monthly Notices of the Royal Astronomical Society, inxhinieri Colin McInnes nga Universiteti i Glasgow-it zbuloi një mënyrë teorike për të stabilizuar një sferë Daisoni. Sekreti është që duhet një sistem me të paktën dy yje.
McInnes filloi duke kërkuar ndonjë pikë brenda një sistemi yjor binar që mund të strehonte një sferë Daisoni të qëndrueshme, ku guaska të qëndronte në vend dhe forcat gravitacionale që veprojnë mbi të të ishin uniforme. Ai gjeti një rregullim ku sfera rrethon të dy yjet. Por kjo situatë ishte vetëm lehtësisht e qëndrueshme dhe me shumë gjasë do të vuante nga i njëjti problem si rasti me një yll të vetëm.
Një pikë tjetër e qëndrueshme shfaqet kur sfera orbiton në mënyrë të pavarur, pa rrethuar asnjë yll. Edhe pse kjo mund të jetë e dobishme për stacione hapësinore, nuk ofron përfitimet e kapjes së energjisë si një sferë që rrethon një yll.
Por McInnes gjeti një konfigurim që është si i qëndrueshëm, ashtu edhe i dobishëm. Kjo ndodh vetëm në sisteme binare ku njëri yll është shumë më i vogël se tjetri. Në atë rast të veçantë, sfera e Daisonit mund të rrethojë yllin më të vogël. Lëvizja e atij ylli të vogël vepron si një ankorë gravitacionale, duke e mbajtur sferën e Daisonit në të njëjtën orbitë rreth yllit më të madh, duke parandaluar një përplasje katastrofike.
Ka disa kushte për këtë. Ylli më i vogël duhet të jetë jo më i madh se rreth një e dhjeta e masës së yllit më të madh, ndryshe pika e qëndrueshme gravitacionale zhduket. Dhe sfera duhet të jetë jashtëzakonisht e lehtë dhe e hollë krahasuar me dy yjet, përndryshe ndikimi i saj gravitacional ndërhyn në dinamikën e sistemit dhe e shkatërron qëndrueshmërinë.
Dhe, natyrisht, kjo analizë injoron të gjitha vështirësitë praktike inxhinierike, si tensionet që mund të përjetojë struktura apo mënyra se si mund të ndërtohet në të vërtetë.
Edhe pse është e pamundur që njerëzimi të ndërtojë një sferë Daisoni në të ardhmen e afërt, nëse ndonjëherë ndodh, ky kërkim ndihmon në kërkimet për civilizime jashtëtokësore. Me shumë gjasa, një civilizim mjaftueshëm i përparuar do ta kishte kuptuar të njëjtën gjë para se të ndërtonte sferën e tij të Daisonit, dhe për këtë arsye nuk duhet të kërkojmë për to rreth yjeve të vetmuar.
Në vend të kësaj, shkencëtarët mund të kërkojnë për yje të mëdhenj dhe të ndritshëm me një shoqërues difuz që shkëlqen në infra të kuqe, një shenjë e mundshme e nxehtësisë që del nga një sferë Daisoni që rrethon yllin më të vogël të një çifti yjor. / Live Science – Syri.net
