Lajme

Shaip Kamberi kritikon Vuçiqin, paralajmëron tensione për shqiptarët e Luginës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një prononcim për “Bota sot” kritikoi vendimin e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke thënë se ai reflekton më shumë frikë dhe pasiguri politike sesa nevojë reale për mbrojtje.

Kamberi thekson se Vuçiq përdor shërbimin ushtarak për të mobilizuar nacionalizmin, për të paraqitur veten si mbrojtës i shtetit dhe për të forcuar kontrollin mbi shoqërinë, veçanërisht mbi të rinjtë, duke e kthyer këtë në mjet disiplinimi politik dhe ideologjik.

“Vendimi i presidentit Vuçiq për ta rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak nuk mund të shihet i shkëputur nga konteksti politik dhe i sigurisë në të cilin ndodhet Serbia sot. Ky është një hap që reflekton më shumë frikë dhe pasiguri të pushtetit sesa një nevojë reale për mbrojtje. Serbia sot, nuk është e kërcënuar nga askush. Aq më keq projekti i saj “Bota serbe” kërcënon fqinjët e saj.

Vuçiq e ka përmendur këtë ide, zakonisht në momente tensioni politik të brendshëm ose të jashtëm. Qëllimi i tij është i dyfishtë: nga njëra anë, të mobilizojë ndjenjat nacionaliste dhe të paraqitet si “mbrojtës i shtetit”, ndërsa nga ana tjetër, të forcojë kontrollin mbi shoqërinë, veçanërisht mbi të rinjtë. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak përdoret këtu si mjet disiplinimi politik dhe ideologjik”, ka thënë ai.

Po ashtu, Shaip Kamberi tha se vendimi për shërbimin ushtarak shkakton shqetësime për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi historikisht ata janë diskriminuar në institucionet shtetërore, përfshirë ushtrinë.

 “Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ky vendim hap shqetësime serioze. Historikisht, shqiptarët në Serbi kanë qenë të diskriminuar në institucionet shtetërore, përfshirë edhe ushtrinë. Detyrimi për të shërbyer në një ushtri që nuk i njeh dhe nuk i respekton të drejtat e tyre kombëtare, gjuhësore dhe kulturore është i papranueshëm. Ekziston rreziku real që të rinjtë shqiptarë të trajtohen në mënyrë selektive”, ka nënviziuar ai.

Gjithashtu, Kamberi kujtoi vrasjen e 135 të rinjve shqiptarë që shërbyen në ish-APJ gjatë viteve ’80, ngjarje që nuk u hetua kurrë, duke e bërë rikthimin e shërbimit ushtarak një burim frike dhe tensioni për komunitetin.

Ai kërkoi që Serbia të investojë në demokraci, barazi dhe respektimin e të drejtave të pakicave, duke paralajmëruar se pa këto reforma, çdo shërbim ushtarak i detyrueshëm do të jetë burim padrejtësie, veçanërisht për shqiptarët e Luginës.

“Në anën tjetër kjo është një temë thellësisht e dhimbshme dhe e ndjeshme për shqiptarët, për shkak të vrasjes së 135 të rinjve shqiptarë që shërbyen në ish APJ gjatë viteve ’80, rrethana që kurrë nuk u sqaruan dhe për të cilat askush nuk u mbajt përgjegjës. Pikërisht për këtë kam iniciuar në Parlament krijimin e një Komisioni hetimor, sepse këto krime ende rëndojnë kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe prodhojnë frikë reale te të rinjtë dhe familjet e tyre, të cilët sot, me rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndihen sërish të kërcënuar nga një sistem që nuk u ka garantuar kurrë siguri, barazi dhe drejtësi.

Në vend që të investojë në militarizim, Serbia duhet të investojë në demokraci, barazi dhe respektim të të drejtave të pakicave. Është i vetmi shtet i Ballkanit Perënimorë që në rrugëtimin e vet europian nuk po bën progres. Aq më keq ajo po shkon mbrapa me sistem të kontrollit të përgjithshëm të shoqërisë nga një parti. Pa këtë, çdo shërbim i detyrueshëm ushtarak do të mbetet një burim i ri tensioni dhe padrejtësie, veçanërisht për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka përfunduar Kamberi.

Të Ngjashme