Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala ka deklaruar se sipas situatave të fundit politike deri më tani, nuk do të ketë zgjedhje të presidentit, pasi siç tha ai ka një përçarje të madhe të sektit politik.
Sipas Shalës, seanca për zgjedhjen e presidentit, nuk mund të mbahet nëse nuk janë dy kandidat për president të vendit.
“Sipas të gjitha rrethanave deri tani nuk do të ketë zgjedhje të presidentit, për shkak se kemi një përçarje jashtëzakonisht të madhe të sektit politik, mirëpo edhe tjetra është se nuk kemi një kundërkandidant, nëse nuk kemi dy kandidat, atëherë nuk plotësohet kushti kushtetues që të hyjmë në seancë për votim”, ka deklaruar ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Derisa, ai ka thënë se presidentja nuk ka të drejtë që nesër ta shpërbëjë Kuvendin dhe të cakton datën e zgjedhjeve, nëse nuk hidhet tri herë në votim zgjedhja e presidentit.
“Sipas meje presidentja nuk ka drejtë ta shpërbëj Kuvendin dhe të cakton datën e zgjedhjeve, ai afat fillon vetëm atëherë kur konsumohen tri raundet për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk konsumohen këto tri raunde, atëherë nuk mund t’i shpall zgjedhjet e reja nesër. Është e vërtetë që më mirë është të shkohet për zgjedhje të drejtpërdrejta të presidentit për shkak se këtu po vijmë tek problemet për zgjedhjen e presidentit. Sot është dashur ne me e pas presidentin, nuk është me rëndësi a Vjosa apo Glauku”, ka theksuar ai në fund.
Ndërkohë, pak minuta më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka dërguar në Kuvendit e Kosovës amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të vendit direkt nga populli.
Ajo ka thënë se këtë vendim e ka marrë duke parë “dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it”./teve1.info/
