Deri jo shumë kohë më parë, mbizotëronte ideja se njerëzit e qetë, të rezervuar dhe që nuk “i jepnin muhabet” kolegëve, rrallë arrinin poste drejtuese. Suksesi lidhej me dinamizmin, guximin dhe prezencën imponuese. Por panorama po ndryshon. Në vitin 2026, ajo që po fiton terren është “udhëheqja e qetë”, një stil menaxhimi më i matur, më i qëndrueshëm dhe më pak demonstrativ.
Sipas raportit “Aftësi në Rritje” të LinkedIn, lidershipi dhe menaxhimi i burimeve njerëzore renditen ndër aftësitë me rritjen më të shpejtë dhe më të kërkuar. Kjo tregon qartë se kompanitë kanë nevojë për drejtues që dinë të bashkëpunojnë me ekipe të ndryshme, t’i udhëzojnë dhe t’i mentorojnë me sukses në fusha të shumta.
Organizatat po kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë që e mishërojnë këtë qasje: të fortë në thelb, por të përmbajtur në formë.
Çfarë është “udhëheqja e qetë”?
Udhëheqja e qetë ka të bëjë me ndikimin përmes substancës, jo spektaklit. Sipas Amanda Augustine, eksperte karriere në TopResume, ky është një stil lidershipi i orientuar drejt shërbimit. Ai vendos në qendër stabilitetin në mes të kaosit, komunikimin e hapur dhe mbështetjen e suksesit të të tjerëve, jo nevojën për të rrëmbyer vëmendjen.
Pavarësisht emrit, udhëheqësit “e qetë” nuk janë pasivë dhe as shmangin vendimet e vështira. Ata thjesht nuk mbështeten te fjalimet dramatike apo retorika e fortë për të imponuar autoritetin. Siç thekson Jeri Doris, Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në Justworks, ata ndërtojnë siguri psikologjike dhe besim përmes qëndrueshmërisë dhe qartësisë në sjellje.
Ata mendojnë para se të flasin, dëgjojnë me vëmendje, janë të pranishëm në mënyrë aktive dhe nuk e monopolizojnë diskutimin. E dinë që çdo fjalë dhe veprim i tyre ka peshë.
Pse është kaq i kërkuar në 2026-ën?
Punonjësit sot kërkojnë drejtues tek të cilët mund të mbështeten realisht. Tregu i punës është i paqëndrueshëm, siguria profesionale shpesh duket e brishtë dhe ndikimi i inteligjencës artificiale mbetet i paqartë. Sipas Catherine Fisher, eksperte karriere në LinkedIn, kompanitë duan liderë që jo vetëm përballojnë vetë pasigurinë, por dinë të udhëheqin të tjerët me qetësi përmes saj.
Në të njëjtën kohë, siç thekson Shari Leid, themeluese e metodës Flip the Box®, shumë profesionistë ndihen të mbingarkuar. Presioni, “zhurma” e vazhdueshme dhe lodhja kronike janë në nivele të larta. Ajo që kërkohet sot është një figurë që sjell qetësi në mes të stuhisë, jo më spektakël, por stabilitet dhe siguri.
Për më tepër, modeli tradicional “komando dhe kontroll” po humbet efektivitetin. Brezat e rinj, veçanërisht Gjenerata Z, presin empati, mirëkuptim dhe hapësirë për zërin e tyre. Ky stil jo vetëm rrit produktivitetin, por edhe forcon përgjegjësinë dhe besimin brenda organizatës. Kur u jep njerëzve autonomi për të zgjidhur probleme, krijon kulturë llogaridhënieje dhe përfshirjeje.
Si të bëhesh një udhëheqës “i qetë”?
Parimet e këtij stili janë të vlefshme si për drejtuesit aktualë, ashtu edhe për ata që synojnë një rol më të madh përgjegjësie.
1. Qetësohu para se të flasësh
Kur përballesh me presion apo frustrim, mos reago menjëherë. Merr një moment për t’u përqendruar. Qëllimi është të përgjigjesh me vetëdije, jo të reagosh impulsivisht. Një frymëmarrje e thellë, numërimi deri në tre apo praktika si meditimi dhe shkrimi në ditar ndihmojnë për të ruajtur ekuilibrin.
Komuniko qartë dhe me respekt. Në vend të një deklarate negative si “kjo nuk funksionon”, provo me “si mund ta përmirësojmë?”. Kjo hap rrugën për bashkëpunim.
2. Praktiko dëgjimin aktiv
Dëgjimi i vërtetë është thelbësor. Bëj pyetje, konfirmo që e ke kuptuar saktë bashkëbiseduesin dhe trego interes të sinqertë. Kur njerëzit ndihen të dëgjuar, rritet besimi dhe bashkëpunimi.
3. Fuqizo ekipin
Njih kontributin e të tjerëve, festo arritjet dhe krijo hapësirë për ide të reja. Inkurajimi i mendimit strategjik dhe propozimeve të guximshme forcon inovacionin dhe vetëbesimin.
4. Ruaj integritetin dhe respektin
Qëndrueshmëria, përgjegjësia dhe pranimi i gabimeve ndërtojnë besueshmëri. Dhe besueshmëria është baza e çdo ndikimi të qëndrueshëm.
Në thelb, udhëheqësit e qetë janë të sigurt pa qenë të zhurmshëm. Ata nuk kanë nevojë për retorikë të fortë apo për të qenë në qendër të vëmendjes. Ata lejojnë që puna e tyre të flasë dhe e dinë se suksesi i vërtetë matet me suksesin e ekipit që drejtojnë.
