Lajme

Shefi i CIA-s tregon prapaskenat e shpëtimit të pilotit në Iran në konferencë me Trump

Pas përfundimit të operacionit të shpëtimit në Iran, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe në një konferencë për shtyp krah Presidentit Donald Trump ka zbardhur disa nga prapaskenat e misionit që ai e cilësoi si “një detyrë që nuk lejonte dështim”.

Ratcliffe deklaroi se agjentët e inteligjencës ishin plotësisht të përkushtuar për t’i kthyer pjesëtarët e Forcave Ajrore shëndoshë e mirë në shtëpi, duke përdorur të gjitha resurset e mundshme.

Ndonëse nuk mund të bënte publike të gjitha detajet konfidenciale, kreu i CIA-s konfirmoi se për lokalizimin e aviatorëve të zhdukur u angazhuan asete të fuqishme teknologjike dhe inteligjencë njerëzore në terren.

Ai e përshkroi operacionin si “guximtar” dhe një “garë të ethshme me kohën”, ku çelësi i suksesit ishte një fushatë mashtrimi e mirëmenduar. Kjo strategji shërbeu për të konfuzuar forcat iraniane, të cilat po kërkonin dëshpërimisht për të rënë në gjurmët e ushtarakëve amerikanë.

Në mbyllje të fjalës së tij, Ratcliffe zbuloi momentin kritik të misionit: mbrëmjen e së shtunës, agjentët morën konfirmimin se ushtaraku i zhdukur kishte arritur të gjente strehë në një të çarë mali. Ky pozicion strategjik, sipas drejtorit të CIA-s, ishte i tillë që e mbajti atë “të padukshëm për sytë e armikut, por jo për sytë e inteligjencës amerikane”.

Të Ngjashme