Kuriozitete

Shefi lituanez shpallet mjeshtër i sushit në Kampionatin Botëror në Tokio

Kampionati Botëror i Sushit u zhvillua edhe këtë vit në Tokio, Japoni, duke promovuar sigurinë ushqimore dhe ruajtjen e kuzhinës autentike japoneze. Konkursi prestigjioz organizohet nga Instituti Botëror i Aftësive të Sushit, i themeluar me mbështetjen e qeverisë japoneze, ndërsa në juri bëjnë pjesë mjeshtër të nivelit më të lartë të kësaj tradite kulinare.

Fituesi i këtij viti ishte shefi i kuzhinës lituanez Airis Zapašnikas, me bazë në Oslo, i cili u bë lituanezi i parë që shpallet mjeshtër botëror i sushit. Ai arriti të mposhtë 14 finalistë të tjerë, duke u vlerësuar për aftësitë, kreativitetin dhe respektimin rigoroz të traditës japoneze.

“Për mua kjo është më e vlefshme se një yll Michelin. Është një konfirmim i drejtpërdrejtë i aftësive të mia”, – deklaroi Zapašnikas për portalin LRT.lt. Ai është gjithashtu drejtues i një restoranti me yll Michelin në Norvegji.

Shefi lituanez përshkroi garën si tejet intensive, me rregulla strikte ku çdo detaj kishte rëndësi, nga respektimi i kohës, deri tek përdorimi i plotë i përbërësve. Në fazën finale, secili kandidat duhej të përgatiste një pjatë origjinale, ku u vlerësua aftësia për inovacion dhe kreativitet përkrah teknikave tradicionale japoneze.

Ky kampionat, që mbahet çdo vit në Tokio, po kthehet në një arenë globale ku kulinarë nga e gjithë bota garojnë për titullin më prestigjioz të mjeshtrit të sushit.

Të Ngjashme