Lajme

Shembja e murit detyron evakuimin e familjeve në Han të Elezit

Një incident serioz ka ndodhur mbrëmjen e së premtës në fshatin Meliq, në komunën e Hanit të Elezit, ku është shembur muri mbrojtës i një rruge, duke shkaktuar rrezik për banorët e zonës.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, si pasojë e shembjes së murit është zënë një automjet, në të cilin ndodhej një mashkull kosovar. Menjëherë pas incidentit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilët kanë arritur ta nxjerrin viktimën nga vetura dhe ta dërgojnë me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për tretman mjekësor.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent, si dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME). Me rekomandim të tyre, familjet që banojnë në afërsi të vendit të ngjarjes janë evakuuar për arsye sigurie, për shkak të rrezikut të mundshëm nga shembje të tjera.

“Policia ka bërë të ditur se një patrullë policore ka mbetur në vendin e ngjarjes për ta siguruar zonën, derisa të ndërmerren veprimet e mëtejme dhe të vlerësohet stabiliteti i terrenit”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Të Ngjashme