Çdo vit më 14 shkurt, në shumë vende të botës festohet Shën Valentini, e njohur ndryshe si dita e të dashuruarve. Kjo festë, që sot lidhet me dhurata, lule dhe mesazhe romantike, ka rrënjë të lashta historike dhe fetare.
Origjina e saj lidhet me figurën e Shën Valentinit, një prift i shekullit të tretë në Perandorinë Romake. Sipas legjendës, ai u dënua me vdekje nga perandori romak Claudius II Gothicus, pasi kundërshtoi urdhrin për të mos lejuar martesat e ushtarëve të rinj. Valentini vijoi të martonte çiftet në fshehtësi, duke u bërë simbol i dashurisë dhe sakrificës. Ai u ekzekutua më 14 shkurt, datë që më vonë u shënua si dita e tij përkujtimore.
Disa studiues e lidhin këtë festë edhe me Lupercalian, një festë e lashtë romake e pjellorisë që zhvillohej në mes të shkurtit. Me përhapjen e krishterimit, festa pagane u zëvendësua me përkujtimin e shenjtorit.
Në Mesjetë, 14 shkurti nisi të lidhej drejtpërdrejt me dashurinë romantike, sidomos në Angli dhe Francë, ku besohej se në këtë datë zogjtë nisnin çiftëzimin. Poeti anglez Geoffrey Chaucer ishte ndër të parët që e përmendi Shën Valentinin si ditë të dashurisë në krijimet e tij.
Sot, Shën Valentini festohet me shkëmbim letrash dashurie, trëndafilash të kuq, çokollatash dhe dhuratash simbolike, duke u kthyer në një nga festat më të përhapura dhe më të komercializuara në botë, por që ruan ende simbolikën e saj si dita e dashurisë.
