Lajme

Shëndeti mendor, ende mes paragjykimeve

Paragjykimet dhe vështirësitë në qasjen ndaj ndihmës profesionale vazhdojnë të jenë sfidë për shëndetin mendor. Psikologët dhe profesionistët e shëndetësisë kërkojnë më shumë vëmendje institucionale, parandalim dhe mbështetje për personat që përballen me vështirësi psikologjike. Këto tema u diskutuan në Kongresin e Tetë Ndërkombëtar të Psikologëve, që u mbajt për dy ditë.

Të kërkosh ndihmë psikologjike nuk duhet të jetë arsye për paragjykim. Megjithatë, stigma dhe qasja e vështirë në shërbimet profesionale vazhdojnë të jenë pengesë për kujdesin ndaj shëndetit mendor.

Në Kongresin e Tetë Ndërkombëtar të Psikologëve u theksua nevoja për më shumë parandalim, identifikim të hershëm dhe mbështetje për personat që përballen me vështirësi psikologjike.

“Shëndeti mendor nuk duhet të jetë temë vetëm e një dite, por një prioritet i vazhdueshëm për individin, familjen, institucionet dhe shoqërinë. Përballimi i paragjykimeve dhe vështirësive në qasjen ndaj shërbimeve profesionale mbetet një sfidë. Për këtë arsye, kemi përgjegjësi të përbashkët të investojmë më shumë në parandalim, identifikim, edukim dhe shërbime cilësore”, tha Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Por, kujdesi për shëndetin mendor, sipas profesionistëve, nuk është vetëm përgjegjësi e psikologëve dhe psikiatërve. Ai kërkon bashkëpunim të institucioneve shëndetësore, shkollave, universiteteve, shërbimeve sociale dhe familjeve.

“Kujdesi për shëndetin mendor kërkon përgjegjësi të përbashkët. Ai nuk mund t’u lihet vetëm psikologëve dhe psikiatërve. Kërkon bashkëpunimin e institucioneve shëndetësore, universiteteve, shkollave, shërbimeve sociale, familjeve, politikëbërësve dhe gjithë shoqërisë”, deklaroi Ferid Agani, neuropsikiatër.

Në këtë kongres u tha se kujdesi për shëndetin mendor duhet të nisë me parandalimin dhe identifikimin e hershëm, ndërsa ndihma profesionale duhet të jetë e qasshme për të gjithë, pa paragjykime dhe stigmatizim.

Të Ngjashme