Në marrëdhëniet moderne po përdoret gjithnjë e më shpesh termi “breadcrumbing”, një fjalë që vjen nga kombinimi i “bread” (bukë) dhe “crumbs” (thërrime). Ajo përdoret për të përshkruar sjelljen e njerëzve që “hedhin” vetëm pak vëmendje, interes apo dashuri ndaj dikujt tjetër, thjesht për ta mbajtur atë të lidhur emocionalisht pa pasur qëllimin për një marrëdhënie serioze.
Në thelb, kjo është një mënyrë për të mbajtur kontakt dhe për të ushqyer shpresat e tjetrit, pa pasur asnjë qëllim pozitiv. Personi që e bën këtë mund të dërgojë mesazhe, komplimente apo sinjale romantike herë pas here, por pa e çuar marrëdhënien në një nivel më të thellë.
Sipas ekspertes së marrëdhënieve Dana McNeil, kjo është një sjellje manipuluese.
“Breadcrumbing është kur një person i jep tjetrit shumë energji, kohë dhe vëmendje përmes fjalëve apo gjesteve që krijojnë një marrëdhënie romantike, pa e konfirmuar kurrë atë. Në thelb, e mban personin tjetër në pritje,” shpjegon ajo.
Ekspertët e konsiderojnë këtë sjellje pjesë të manipulimit emocional, pasi krijon pritshmëri dhe shpresa të rreme.
Shenjat që tregojnë se po përjetoni “breadcrumbing”
Fjalët nuk përputhen me veprimet
Një nga shenjat më të zakonshme është kur dikush shpreh ndjenja apo interes, por në praktikë nuk bën asgjë për ta treguar atë. Mund të thotë se ju pëlqen shumë apo se dëshiron të kalojë kohë me ju, por nuk organizon kurrë takime ose nuk gjen kohë për t’ju parë.
Komunikimi është i paqëndrueshëm
Në një moment mund të flisni vazhdimisht me mesazhe dhe telefonata, ndërsa në tjetrin personi zhduket për ditë apo javë. Kur ndien se mund t’ju humbasë, ai rikthehet sërish me mesazhe dhe vëmendje për të ringjallur interesin tuaj.
Planet anulohen vazhdimisht
Një tjetër shenjë janë planet që shtyhen ose anulohen shpesh. Justifikimet mund të jenë nga më të ndryshmet, por rezultati është i njëjtë: takimi nuk realizohet. Megjithatë, nëse takimi përfshin një marrëdhënie intime, personi ka më shumë gjasa të shfaqet.
Pas takimeve ndiheni të zhgënjyer
Një marrëdhënie e shëndetshme duhet të të bëjë të ndihesh mirë me veten. Në rastin e “breadcrumbing”, shpesh ndjenja që mbetet është trishtimi ose konfuzioni, sepse përveç flirtit dhe vëmendjes së momentit, mungon stabiliteti dhe respekti.
Interesi nuk është i njëjtë nga të dyja palët
Ju mund të ndiheni sikur po përpiqeni vazhdimisht të kuptoni se çfarë po ndodh në marrëdhënie. Personi tjetër mund të jetë simpatik dhe flirtues, por nuk bën përpjekje reale për t’ju njohur më mirë ose për të ndarë gjëra për veten.
Si të përballeni me këtë situatë
Vendosni kufij të qartë
Vendosja e kufijve të shëndetshëm që në fillim të marrëdhënies është shumë e rëndësishme. Vendosni se cilat sjellje jeni të gatshëm të pranoni dhe qëndroni besnikë ndaj tyre.
Ndërprisni komunikimin
Shpesh mënyra më efektive për të dalë nga një situatë e tillë është të ndërprisni kontaktin. Injormi i mesazheve dhe distancimi nga personi mund të jetë i vështirë, por ndihmon për të mos u përfshirë më në këtë lojë emocionale.
Mos e merrni personale
Sjellja e një personi që praktikon “breadcrumbing” lidhet më shumë me nevojën e tij për kontroll dhe vëmendje sesa me ju. Qëllimi i tij është shpesh të ushqejë egon, jo të ndërtojë një marrëdhënie të vërtetë.
