Një ngjarje kriminale është parandaluar ditën e sotme (12 mars), pas sherrit mes dy familjeve fqinje me njëra-tjetrën, për shkak të sipërfaqes ndarëse të tarracës së pallatit ku jetonin.
Policia e Sarandës bëri me dije se ka arrestuar 62-vjeçarin Shefki Kaçupaj, dhe sekuestroi si provë materiale armën pistoletë me mulli me të cilën i shkoi në banesë fqinjit të tij dhe e kanosi.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, u arrestua shtetasi Sh. K., 62 vjeç.
“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi Sh. K. kishte kanosur fqinjët, me armë zjarri (pistoletë me mulli), si pasojë e mosmarrëveshjeve me ta, mbi shfrytëzimin e pjesës së përbashkët (tarracë) në pallatin ku banonin”, bëri me dije policia vendore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.
