Menuja e Neandertalëve përfshinte më shumë sesa kafshët e egra, pëllumbat e pjekur, ushqimet e detit dhe bimët. Shenjat kimike në eshtrat e lashta zbulojnë një garniturë të ushqyeshme dhe të pashmangshme: larvat, shkruan The Guardian.
Teoria e shkencëtarëve amerikanë hedh poshtë idetë e mëparshme se Neandertalët ishin ‘hipermishngrënës’ që qëndronin në krye të zinxhirit ushqimor me luanët e shpellave, tigrat dhëmbëshpatë dhe kafshë të tjera që konsumonin sasi të mëdha mishi.
Ata i ruanin zahiretë për muaj të tërë duke preferuar pjesët e dhjamosura ndërsa krimbat ishin të pranishme te cofëtinat e kafshëve.
‘Neandertalët ishin hipermishngrënës, dieta e tyre ishte e ndryshme’, thotë John Speth, profesor antrolopologjie në University of Michigan. ‘Me gjasë larvat ishin ushqim kryesor.’
Mendohet se Neandertalët ishin në krye të zinxhirit ushqimor për shkak të nivelit të lartë të azotit në kockat e tyre. Azoti grumbullohet te organizmat e ggjallë kur ndodh metabolizimi i proteinave në ushqim. Azoti-14, një formë më e lehtë e elementit kimik, ekskretohet më lehtë sesa azoti-15. Si rezultat, azoti i rëndë grumbullohet në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, nga bimët te bimëngrënësit dhe mishngrënësit.
Niveli i lartë i azotit të rëndë në kockat e Neandertalëve i vendos ata në krye të zinxhirit, por ata s’do ta përballonin dot sasinë e lartë të mishit që duhet për të arritur në ato nivele.
‘Njerëzit mund të mbajnë deri në 4 gramë proteinë për kilogram të peshës trupore, kurse kafshët si luanët nga dy deri në katër herë sa kjo sasi’, thotë Speth.
Duke qenë se shumë fise indigjene në mbarë botën i konsumojnë larvat që gjenden te mishi, shkencëtarët vendosën të zbulonin rolin e tyre.
Melanie Beasley, një nga studiueset, ishte më parë në Forensic Anthropology Center në University of Tennessee. Atje, shkencëtarët studionin trupa që liheshin për t’u dekompozuar. Puna ndihmonte shkencëtarët të zhvillonin teknikat dhe të kuptonin se prej sa kohësh njerëzit ishin të vdekur.
Beasley mati azotin në muskuj dhe te larvat që kishin pushtuar trupat. Azoti ishte i lartë ndërsa muskuli dekompozohej, por shumë më i lartë te krimbat. I njëjti proces duhet të ketë ndodhur edhe te cofëtinat që ruanin Neandertalët, thotë Beasley.
Studimi tregon se në vend të mishit, Neandertalët kishin nivele të larta azoti si rezultat i konsumimit të krimbave, të cilët janë të pasur me azot të rëndë.
