Shitjet e Biblave ( Libri i Shnjtë) arritën një nivel rekord në Britaninë e Madhe në vitin 2025, duke u rritur me 134% nga viti 2019, më i larti që nga fillimi i regjistrimeve.
The Guardian, duke cituar një hulumtim zbuloi se vitin e kaluar, shitjet totale të Biblave në Mbretërinë e Bashkuar arritën në 6.3 milionë paund, një rritje prej 3.61 milionë paundësh krahasuar me shitjet e vitit 2019.
Studimi u krye nga botuesi i krishterë SPCK Group, duke analizuar të dhënat nga Nielsen BookScan, një shërbim që mbledh të dhëna për shitjet e librave në të gjithë botën.
Studimi sugjeron gjithashtu se feja është një nga zhanret e eseistikës që po rritet më shpejt, me një rritje të shitjeve prej 11% në vitin 2025, më e lartë krahasuar me vitin 2024.
Rritja e fortë e shitjeve të Biblës në Mbretërinë e Bashkuar lidhet me shtimin e frekuentimit të kishës në Angli dhe Uells gjatë viteve të fundit. Sipas një raporti të publikuar në prill 2025 nga Bible Society, numri i personave që ndjekin kishën në Angli dhe Uells është rritur me 50% që nga viti 2018. Në krye të saj janë të rinjtë. Vetëm 4% e të rinjve të moshës 18–24 vjeç deklaronin se frekuentonin kishën çdo muaj në vitin 2018, ndërsa në vitin 2024 kjo përqindje u rrit në 16%, rritja më e madhe mes të gjitha grupmoshave.
Kjo prirje vërehet edhe në Shtetet e Bashkuara, ku shitjet e Biblave arritën nivelin më të lartë të 21 viteve të fundit në vitin 2025.


