Një operacion i gjerë i policisë greke ka çuar në shkatërrimin e një grupi kriminal që ushtrohej në tregtinë e drogës në zona të ndryshme të Athinës.
Ky operacion, i cili përfshiu arrestimin e katër individëve dhe kryerjen e disa kontrolleve në banesa dhe biznese, ka rezultuar në konfiskimin e një sasie të konsiderueshme drogash dhe armësh.
Në kuadër të operacionit, janë arrestuar tre shtetas shqiptarë dhe një shtetas grek. Personat e arrestuar janë identifikuar si Arjel Tafilaj, 43 vjeç nga Selenica; Ledjo Harizi, 31 vjeç nga Luftinja e Memaliajt; Viktor Leme, 55 vjeç nga Fier Shegani i Lushnjes; dhe Spyridon Antoniou, 29 vjeç, një shtetas grek.
Për sa i përket metodologjisë së funksionimit, anëtarët e organizatës komunikonin kryesisht nëpërmjet aplikacioneve online (Viber), duke shmangur përmendjen e emrave në biseda për të vështirësuar identifikimin e tyre, ndërkohë që përdornin emra të koduar për lëndët narkotike që trafikonin.
Nga hetimet rezultoi se 43-vjeçari Arjel Tafilaj nga Selenica, ishte drejtuesi, i cili merrte çdo vendim lidhur me grupin, ndërsa ishte i informuar përpara se të merrej ndonjë veprim nga anëtarët e tjerë.
Arjel Tafilaj është kapur teksa drejtonte një automjet tip “Smart” dhe i janë sekuestruar një fuoristradë tip “Porsche Cayenne” me targa shqiptare, 150 euro, dhe një celular. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së tij janë gjetur 1770 euro dhe gjatë kontrollit të të dashurës së tij janë sekuestruar 2250 euro.
Ledjo Harizi është kapur në drejtimin e një automjeti me targa KNH-6034. Gjatë kontrollit në biznesin e tij janë gjetur 4 celularë, 145 euro, dhe një arsenal armësh që përfshin pistola dhe fishekë të ndryshëm.
Në banesën e tij janë gjetur gjithashtu 3750 euro, 52 dollarë, 500 lira suedeze, 1600 lekë shqiptare, dhe automjeti “Opel Astra” i cili shërbente për transportin e drogës.
Viktor Leme është arrestuar në drejtimin e një automjeti “Fiat Panda”. Gjatë kontrollit të tij janë sekuestruar 350 euro, një celular, rreth 71 gram kokainë, rreth 33 gram cannabis, dhe një peshore elektronike.
Spyridon Antoniou, shtetasi grek, është arrestuar gjithashtu dhe gjatë kontrollit të banesës së tij janë sekuestruar 237 gram cannabis dhe sende të tjera.
Një tjetër shtetas shqiptar, Ervin Lavane, është kontrolluar në banesën e tij, ku nuk janë gjetur substanca të paligjshme. Megjithatë, automjeti tip “Audi A8” në pronësi të Ledjo Harizi, që ishte parkur jashtë banesës së Lavane, është sekuestruar.