Lajme

Shkatërrohet një tjetër laborator kokaine në Prishtinë, Sveçla publikon pamjet dhe lëshon paralajmërimin e fortë për kriminelët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar sot për shkatërrimin e një laboratori tjetër droge në Prishtinë, që përdorej për prodhimin e kokainës.

Sipas Sveçlës, ky është laboratori i 19-të i shkatërruar në tri vitet e fundit.

“Këtij fenomeni i kemi shpallur luftë që nga marrja e mandatit dhe kemi qenë të pa kompromis në këtë drejtim,” deklaroi ai, duke theksuar përkushtimin e institucioneve për të luftuar krimin e organizuar.

Ministri shtoi se gjatë kësaj periudhe janë shkatërruar 40 grupe kriminale dhe janë sekuestruar mbi 2,500 kilogramë droga të ndryshme.

Sveçla siguroi se kjo betejë nuk do të ndalet. “Askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit,” theksoi ai.

Duke paralajmëruar kriminelët, Sveçla u shpreh: “Të gjithë kriminelëve, të të gjitha ngjyrave, i’u them që nuk ka hapësirë për veprimtarinë e tyre kriminale në Kosovë.

Prapa hekurave është vendi për ta.”