Lajme

Shkeljet në tenderin me vlerë 680 milionë lekë, GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për Benet Becin dhe 7 të pandehurit e tjerë! Ja sa vite burg rrezikojnë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar këtë të hënë kërkesën për gjykim të shkurtuar në dosjen ku i pandehur është kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, së bashku me shtatë persona të tjerë.

Beci dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, në lidhje me një procedurë prokurimi me vlerë rreth 68 milionë lekë, e zhvilluar në kohën kur ai drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Gjykimi i shkurtuar u pranua për Benet Becin, Adela Rukon, Edlira Mitrushin, Jonid Kazanin, Yllka Nishkun dhe Rudin Gjonin. Ndërkohë, i pandehuri Premtim Dauti do të gjykohet me procedurë të zakonshme.

Seanca e radhës është caktuar për më 14 shtator, kur prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare për të pandehurit.

Gjatë seancës, Benet Beci, të pandehurit e tjerë dhe avokatët e tyre kërkuan pushimin e çështjes, duke argumentuar se duhet të zbatohet ligji për amnistinë, i cili, sipas tyre, parashikon përjashtimin nga ndjekja penale të veprave të kryera deri më 31 maj 2026, kur dënimi i parashikuar nuk i kalon tre vjet burg.

Nga ana e tij, SPAK deklaroi se do të paraqesë një qëndrim me shkrim në seancën e ardhshme, ndërsa trupi gjykues bëri të ditur se do të shprehet për këtë kërkesë në vendimin përfundimtar.

Kujtojmë se akuza ndaj Benet Becit konsiston në një tender me vlerë 700 mijë euro apo 700 milionë lekë, me objekt zhvillimin e sektorin energjitik. Nga kjo, kuptohet se bëhet fjalë për kohën kur kryebashkiaku ka qenë në krye të KESH.

Hetimi ka nisur pasi u sekuestrua telefoni i bashkëshortes së ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, ku u gjetën komunikime që lidhen me Becin, për shkak të pozicionit të saj në KESH. Sipas Lalës, Benet Beci po hetohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, me fokus tek roli i tij si ish-drejtor i KESH.

Kryebashkiaku socialist i Shkodrës u mor zyrtarisht nën hetim në nëntor të vitit të kaluar (2024) nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shkelje kur drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.

Të Ngjashme