Shëndetësi

Shkenca zbulon 5 sinjalet që tregojnë se truri juaj ka nevojë urgjente për pushim

Një studim i vitit 2011 mbi gjyqtarët zbuloi diçka tronditëse, në orët e para të ditës, të burgosurit kishin rreth 65% mundësi për të marrë lirim me kusht. Por, ndërsa seanca vazhdonte, kjo mundësi binte pothuajse në zero. Pas një pushimi, përqindja rikthehej sërish në 65%.

Gjyqtarët nuk ndryshonin. As çështjet dhe as të burgosurit nuk bëheshin më “të vështirë”. Ajo që ndryshonte ishte lodhja mendore.

Ky studim sot konsiderohet një nga shembujt më të fortë se si mbingarkesa kognitive ndikon në mënyrën si mendojmë, marrim vendime dhe sillemi me të tjerët, shpesh pa e kuptuar fare.

Ekspertët thonë se truri nuk na paralajmëron drejtpërdrejt kur është në limitet e tij. Përkundrazi, ai dërgon sinjale që shpesh duken si shenja force apo efikasiteti.

Ja pesë prej tyre.

Ndiheni më të fokusuar se zakonisht

Një nga paradokset më të mëdha të lodhjes mendore është se ju bën të ndiheni “në formë”. Kur truri mbingarkohet, ai ngushton vëmendjen vetëm te problemi i menjëhershëm dhe eliminon gjithçka tjetër përreth.

Ju mendoni se jeni më të përqendruar, por në realitet po humbni aftësinë për të parë panoramën e plotë, emocionet e njerëzve përreth, detajet e rëndësishme apo rreziqet që nuk duken menjëherë.

Rritet vetëbesimi

Sa më shumë mbingarkohet truri, aq më shumë rritet ndjesia e sigurisë në vendimet tona. Kjo ndodh sepse mendja fillon të funksionojë me atë që psikologët e quajnë “System 1”, mendim i shpejtë, intuitiv dhe automatik.

Ndërkohë, “System 2”, pjesa që analizon, dyshon dhe kontrollon gabimet, fillon të fiket. Zëri i brendshëm që pyet “A je i sigurt?” zhduket. Dhe ne e interpretojmë këtë heshtje si qartësi.

Bëheni më impulsivë në vendime

Studimet tregojnë se njerëzit nën ngarkesë të lartë mendore marrin vendime më të shpejta dhe kanë më shumë gjasa të veprojnë menjëherë mbi informacionin e ri.

Në pamje të parë kjo duket si aftësi lidershipi. Por shpesh, vendimi nuk është më i mirë, thjesht nuk është analizuar mjaftueshëm. Truri zgjedh shpejtësinë në vend të reflektimit.

Njerëzit fillojnë t’ju acarojnë më shumë

Kur truri është i lodhur, bie edhe aftësia për empati. Kjo do të thotë se bëhet më e vështirë të kuptoni emocionet dhe reagimet e të tjerëve.

Në vend që ta kuptoni këtë si lodhje mendore, mund të mendoni se kolegët janë bërë më të vështirë, takimet më stresuese apo njerëzit më irritues se zakonisht.

Bëni gabime “budallaqe”

Një nga shenjat më të dukshme është shtimi i gabimeve të vogla në gjëra rutinë, harroni emaile, hyni në mbledhje pa dokumente, bëni lapsuse në mesazhe apo harroni detaje që normalisht nuk do t’i humbnit kurrë.

Këto nuk janë thjesht shenja lodhjeje fizike. Janë tregues se memoria e punës është e mbingarkuar dhe truri nuk po arrin të menaxhojë të gjitha proceset njëkohësisht.

Çfarë mund të bëni?

Ekspertët thonë se pushimi ndihmon, por zgjidhja më e mirë është parandalimi.

Një teknikë e rekomanduar është krijimi i rregullave paraprake për veten, të tipit: “Nëse kam fjetur më pak se katër orë, nuk marr vendime të rëndësishme pa u konsultuar me dikë tjetër.”

Një tjetër strategji është organizimi i punëve më të vështira në orët kur truri funksionon më mirë. Për shumicën e njerëzve, kjo ndodh dy deri në katër orë pas zgjimit.

Ironikisht, studimi zbuloi se edhe vetë gjyqtarët nuk e besonin rezultatin kur u përballën me të dhënat. Ata ishin të bindur se kishin qenë të drejtë dhe të qëndrueshëm gjatë gjithë ditës.

Dhe pikërisht ky është problemi më i madh me lodhjen mendore, sa më shumë ndikon te gjykimi ynë, aq më pak e kuptojmë që po ndodh.

Të Ngjashme