Shëndetësi

Shkencëtarët e Londrës bëjnë përparim në zbulimin e shkakut të Alzheimerit

Shkencëtarët britanikë kanë bërë një zbulim potencialisht të rëndësishëm në lidhje me demencën dhe sëmundjen e Alzheimerit, i cili mund të hapë rrugën për zhvillimin e barnave për të trajtuar këto gjendje.

Në një punim të botuar së fundmi, pjese e një revistë të Nature, studiuesit e University College London (UCL) tregojnë për një gjen të quajtur APOE, si “ndoshta” të lidhur me gjysmën e të gjitha rasteve të demencës dhe “potencialisht” 90% të atyre të sëmundjes së Alzheimerit.

Sipas UCL, gjetjet sugjerojnë që gjeni dhe një proteinë e lidhur me të mund të jenë një “objektiv i nënvlerësuar për zhvillimin e ilaçeve, të cilat mund të kenë mundësinë të parandalojnë ose trajtojnë një pjesë të madhe të të gjitha rasteve të demencës”.

Ndërsa APOE ka qenë prej kohësh e lidhur me sëmundjet, sipas ekipit të UCL, gjetjet e tyre sugjerojnë se lidhja është “nënvlerësuar”. 

Çelësi për parandalimin e fillimit të demencës, sipas Dylan Williams të UCL, mund të jetë gjetja e një mënyre për të ndaluar efektet e gjenit që në fillim, dhe nga ana tjetër, të kuptohet se si gjeni bashkëvepron me faktorë të tjerë të mundshëm që kontribuojnë në fillimin e saj, siç janë izolimi apo edhe nivelet e kolesterolit.

«Mund të jemi në gjendje të parandalojmë shfaqjen e shumicës së sëmundjeve», thotë Williams, pas hulumtimit të ekipit mbi grupe të dhënash që mbulojnë mbi 450,000 njerëz.

“Megjithatë, nuk duhet të harrojmë faktin se pa kontributet e APOE, shumica e rasteve të sëmundjes së Alzheimerit nuk do të ndodhnin, pavarësisht faktorëve të tjerë që trashëgohen ose përjetohen nga bartësit e këtyre varianteve gjatë gjithë jetës”, shton Williams.

Të publikuara më 9 janar, gjetjet e UCL erdhën menjëherë pasi një ekip i Universitetit të Exeter dhe Banner Health thanë se kishin zbuluar se shenjat e sëmundjes së Alzheimerit mund të dallohen në një mostër rutinë gjaku nga gishti.

Në fillim të janarit, Universiteti i Rochesterit njoftoi gjetje që hedhin më shumë dritë mbi arsyen pse gratë duken më të ndjeshme ndaj shfaqjes së demencës sesa burrat, me qelizat imune të trurit që konsiderohen si shkaku i mundshëm./ DPA News.