Kuriozitete

Shkencëtarët shpjegojnë sekretin e jetëgjatësisë në Finlandën perëndimore, rajoni ku banorët jetojnë më gjatë

Një pjesë e Finlandës Perëndimore, dhe konkretisht Ostrobothnia që flitet suedisht, po konsiderohet së fundmi si e ashtuquajtur “Zonë Blu”, një prej rajoneve të rralla në botë ku njerëzit jetojnë gjatë dhe kanë më pak sëmundje kronike.

Zonat Blu janë vende si Okinawa (Japoni), Ikaria (Greqi) dhe Sardenja (Itali), ku banorët shpesh jetojnë mbi 100 vjeç dhe gëzojnë shëndet të mirë. Faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë jetëgjatësi janë: aktiviteti fizik i rregullt, ushqyerja e shëndetshme, mungesa e stresit dhe lidhjet e forta sociale.

Një studim i Universitetit Åbo Akademi, i publikuar në Journal of Aging Research, tregon se Ostrobothnia që flet suedisht ka një mesatare jetëgjatësie prej 83.1 vjetësh, më e lartë se mesatarja kombëtare e Finlandës (81.6 vjet) dhe ajo globale (73.1 vjet).

Megjithatë, studiuesit theksojnë se duhet kujdes në nxjerrjen e përfundimeve. Për shembull, edhe pse Ostrobothnia Jugore ka një stil jetese të ngjashëm me atë të rajonit suedishtfolës, aty shëndeti dhe jetëgjatësia janë më të ulëta. Po ashtu, Ishujt Åland, që kanë jetëgjatësinë më të lartë në Finlandë, nuk ndjekin të njëjtat parime që përshkruhen për “Zonat Blu”.

Këto dallime sugjerojnë se përveç stilit të jetesës, faktorë të tjerë si kultura, ekonomia dhe faktorët gjenetikë mund të luajnë rol në jetëgjatësi.

Pavarësisht debatit shkencor, projekti “Zonat Blu në Veri” do të vazhdojë deri në qershor 2026, për të hetuar më tej se çfarë e bën jetesën në këto zona kaq të veçantë.

Finlanda vazhdon të renditet mes vendeve me cilësinë më të mirë të jetës në botë, me sistem shëndetësor efikas, lidhje me natyrën dhe një dietë të shëndetshme të bazuar në drithëra dhe peshk.

Të Ngjashme