Studiuesit thonë se drerët femra i përdorin brirët e tyre si një “rezervuar mineralesh” pas migrimit vajtje-ardhje prej 2,414 kilometrash.
Një studim i ri zbulon se drerët femra bluajnë brirët e tyre për të rimbushur lëndët ushqyese pas një migrimi të gjatë në klimën e ftohtë dhe të thatë të tundrës së Arktikut.
Drerët janë i vetmi lloj dreri tek i cili femrat kanë edhe brirë, shkruan Independent.
Studiuesit më parë hipotezuan se femrat përdorin brirët për t’u mbrojtur nga grabitqarët ose për të treguar dominim në vendet e ushqyerjes.
Megjithatë, një studim i ri zbulon qëllimin e vërtetë evolucionar të brirëve femra – shkencëtarët raportojnë se femrat mbështeten te brirët e tyre të pasur me kalcium si një “rezervuar mineral” pas migrimit.
Tek renët, brirët kockorë rriten nga maja e kafkës dhe tek meshkujt mund të arrijnë një gjatësi deri në 1.2 metra dhe një peshë deri në 10 kilogramë për brirë. Brirët tek femrat janë dukshëm më të vegjël.
Studimi dokumentoi brirë të rënë nga drerët në tundrën arktike, të cilët mbetën të paprekur për dekada.
Studiuesit kanë përcaktuar se këta brirë ofrojnë një burim të gatshëm mineralesh si kalciumi dhe fosfori për mbledhësit e ushqimit gjatë një periudhe kritike të migrimit të tyre.
Analiza tregoi se shumica e këtyre brirëve ishin bluar.Ekzaminimi i mëtejshëm i shenjave të dhëmbëve zbuloi se vetë drerët ishin “fajtorët” kryesorë.
Deri në 86 përqind e 1,567 brirëve të përfshirë në hulumtim treguan gjurmë të bluarjes, dhe pothuajse të gjitha gjurmët ishin lënë nga drerët.
“Ne e dinim që kafshët përtypnin brirët, por të gjithë supozonin se ishin kryesisht brejtës. Tani e dimë se në të vërtetë janë drerë”, tha Joshua Miller, një nga autorët e studimit të botuar në revistën Ekologjia dhe Evolucioni.
“Më ra nofulla kur rezultatet tona filluan të bëheshin të qarta”, shtoi Dr. Miller, një biolog në Universitetin e Cincinnati-t në SHBA.
Drerët femra i humbin brirët brenda disa ditësh nga lindja, duke i bërë ata të disponueshëm si një shtesë ushqimore kur kthehen në zonë.
“Këto brirë qëndrojnë për shekuj ose edhe më gjatë në Arktik dhe janë një burim lëndësh ushqyese tek të cilat kafshët kthehen vazhdimisht”, tha Dr. Miller.
Mineralet nga brirët kthehen gjithashtu në tokë dhe ndihmojnë në rritjen e barit dhe likeneve me të cilat ushqehen drerët.
“Ato në fakt i japin formë këtij habitati, duke shpërndarë nëpër peizazh këto minerale jashtëzakonisht të rëndësishme që shpesh janë të vështira për kafshët t’i marrin në sasi të mjaftueshme”, tha Dr. Miller.
“Fosfori është veçanërisht i rëndësishëm për nënat e reja që përpiqen të prodhojnë qumësht cilësor për të ushqyer të vegjlit e tyre”, shtoi ai.
