Kuriozitete

Shkencëtarët zbulojnë ‘fillimin e jetës’ në planetin Tokë

Një arritje që mund të hedhë dritë mbi origjinën e jetës është realizuar nga shkencëtarët e University College London (UCL) dhe Laboratorit të Biologjisë Molekulare MRC, të cilët thonë se kanë riprodhuar me sukses një proces që mund të ketë ndodhur miliarda vite më parë, në zanafillën e jetës në planetin tonë.

Sipas tyre, në format më të hershme të jetës, përpara se të shfaqeshin ADN-ja dhe proteinat, materiali gjenetik transmetohej dhe replikohej nga molekulat e ARN-së, një acid nukleik me strukturë të ngjashme me ADN-në, por me një fije të vetme.

Megjithatë, dy molekula ARN-je kanë tendencën të lidhen në një spirale të dyfishtë, gjë që pengon replikimin. Ky proces ka qenë për një kohë të gjatë një nga pengesat më të mëdha në laborator për të rikrijuar kushte që mund të kenë çuar në shfaqjen e jetës.

Sipas studimit të botuar në revistën Nature Chemistry, shkencëtarët përdorën trinukleotide,  blloqe ndërtuese të ARN-së me tri njësi, të cilat i përzien në ujë dhe më pas shtuan acid dhe nxehtësi. Kjo lejoi ndarjen e spirales së dyfishtë të ARN-së, duke hapur rrugën për replikim.

Më tej, tretësira u ftoh dhe u ngri, dhe në hapësirat e lëngshme midis kristaleve të akullit, trinukleotidet mbuluan fijet e ARN-së, duke i parandaluar ato të ribashkoheshin. Ky mekanizëm krijoi kushtet që ARN-ja të fillonte të replikohej, një proces që është thelbësor për lindjen e jetës.

Në një cikël të përsëritur shkrirjeje dhe ngrirjeje, me ndryshime natyrale të pH-së dhe temperaturës, studiuesit panë se ARN-ja mund të replikohej për një kohë të mjaftueshme për të përmbushur funksione biologjike.

Supozimi ynë më i mirë është se jeta e hershme vepronte përmes ARN-së,” shpjegoi Dr. James Attëater, autori kryesor i studimit. “Por deri tani, nuk kemi qenë në gjendje të tregojmë në mënyrë bindëse se si mund të jetë ndodhur replikimi në kushte prebiotike.”

Sipas tij, trinukleotidet, ndonëse nuk ekzistojnë në biologjinë moderne, mund të kenë luajtur një rol kyç në lindjen e jetës. Ai shton: “Format e para të jetës ishin ndoshta shumë më të thjeshta se çdo formë jete që njohim sot. Modelet që përpiqemi të ndërtojmë duhet të jenë të mjaftueshëm të thjeshta për të dalë nga kimia e Tokës së hershme.” Syri.net-CNN.gr

Të Ngjashme