Shëndetësi

Shkencëtarët zbulojnë shenjën kyçe paralajmëruese të variçeve

Këmbët e ftohta mund të jenë një shenjë e hershme paralajmëruese e variçeve, sugjeron një studim i ri. Kërkimi zbuloi se mbindjeshmëria ndaj të ftohtit, veçanërisht këmbët akull të ftohta, dhe ndjesia e rëndesës në këmbë lidhen ngushtë me këtë gjendje.

Variçet, të cilat prekin nga 2% deri në 30% të të rriturve, janë më të zakonshme tek gratë dhe zakonisht shkaktohen nga funksionimi i dobët i venave të thella, sipërfaqësore ose perforuese në këmbë. Simptomat e zakonshme përfshijnë ndjesi rëndese, dhimbje, pulsime, kruarje, ngërçe në këmbë, ënjtje dhe në raste të rënda, ulçera.

Studiues në Tajvan analizuan të dhënat e 8782 personave të moshës 30 deri në 70 vjeç nga Biobanka e Tajvanit, midis viteve 2008 dhe 2020. Pjesëmarrësit u pyetën për ndjeshmërinë ndaj të ftohtit në këmbë dhe ndjesinë e rëndesës. Gjithashtu u regjistruan faktorë të tjerë si mosha, profesioni, dieta, pirja e duhanit, konsumi i alkoolit, pesha, diabeti dhe tensioni i lartë.

Nga pjesëmarrësit, 5888 thanë se nuk ishin të mbindjeshëm ndaj të ftohtit, më pak se 6% prej tyre kishin variçe. Ndërsa nga 1535 që ishin ndjeshëm të ftohtit në nivel mesatar, pak më shumë se 9% kishin variçe. Nga 1359 që ishin shumë të ndjeshëm, mbi 14% ishin të prekur.

Analiza statistikore tregoi se mbindjeshmëria mesatare deri e rëndë ndaj të ftohtit lidhej me një rritje prej 49% deri 89% të mundësisë për të pasur variçe, krahasuar me ata që nuk kishin këtë simptomë. Ndjesia e rëndesës në këmbë ishte gjithashtu katër herë më e zakonshme te njerëzit me variçe.

Punët që përfshijnë qëndrimin në këmbë për periudha të gjata lidhen me një rrezik të shtuar prej 45%. Ndër ata që ndienin rëndesë në këmbë, personat me ndjeshmëri mesatare ndaj të ftohtit kishin 90% më shumë gjasa të kishin variçe, ndërsa ata me ndjeshmëri ekstreme kishin më shumë se trefishin e rrezikut.

Dr. Yung-Po Liaw nga Universiteti Mjekësor Chung Shan tha se ndjeshmëria ndaj të ftohtit shpesh neglizhohet në praktikat klinike. Megjithatë, kombinimi i këmbëve të rënda dhe të ftohta rrit ndjeshëm mundësinë për të zbuluar variçet, duke theksuar rëndësinë e njohjes së këtyre shenjave herët. / Talker News – Syri.net

Të Ngjashme