ShowBizzz

Shkëndije Pacolli : Një dëftesë tregon një rezultat. Reagimi ynë lë gjurmë që zgjasin shumë më gjatë

Për shumë fëmijë, dita e dëftesës nuk është e vështirë për shkak të notave.

Është e vështirë sepse kanë frikë nga reagimi ynë.

Si prindër, ne i duam fëmijët tanë pa masë. Punojmë, sakrifikojmë dhe ëndërrojmë që ata të kenë një jetë më të mirë se e jona. Pikërisht sepse i duam kaq shumë, ndonjëherë harrojmë se fjalët tona kanë një peshë shumë më të madhe sesa mund ta imagjinojmë. Ato mund të ndërtojnë vetëbesim, por mund të ndërtojnë edhe dyshim. Mund të japin krahë, por mund edhe t’i këpusin ato.

Teoria e Lidhjes (Attachment Theory), e zhvilluar nga John Bowlby dhe Mary Ainsworth, tregon se vitet e para të jetës dhe marrëdhënia me prindërit ndikojnë thellësisht në vetëbesimin, sigurinë emocionale dhe mënyrën se si fëmija do t’i ndërtojë marrëdhëniet gjatë jetës. Edhe adoleshenca është një periudhë shumë e ndjeshme, ku fjalët tona mund të ndërtojnë ose të lëndojnë.

Psikologjia dhe neuroshkenca kanë treguar prej dekadash se poshtërimi, krahasimi i vazhdueshëm, turpërimi, dhuna verbale dhe abuzimi emocional nuk janë “vetëm fjalë”. Shpesh i justifikojmë me fjalët: “Unë e kam për të mirën tënde.” Por qëllimi ynë i mirë nuk i fshin gjithmonë pasojat. Fjalët mund të lënë gjurmë të thella në zhvillimin emocional të një fëmije.

Ja disa nga pasojat që mbështeten nga studimet shkencore:

1. Dëmtohet vetëvlerësimi.
Fëmija fillon të besojë se vlera e tij varet nga notat dhe arritjet, jo nga ai që është.

2. Vështirësohet zhvillimi emocional.
Fëmijët që rriten me kritika, frikë dhe turpërim e kanë më të vështirë të shprehin emocionet dhe të ndihen të sigurt me veten.

3. Ndikohen marrëdhëniet e ardhshme.
Mënyra se si lidhemi me fëmijët tanë bëhet modeli mbi të cilin ata ndërtojnë marrëdhëniet me të tjerët.

4. Rritet rreziku për ankth, depresion dhe vetëvlerësim të ulët.
Kjo lidhje është dokumentuar vazhdimisht në studimet mbi abuzimin emocional në fëmijëri.

5. Fëmija mund të humbasë lidhjen me identitetin e tij.
Kur ndihet se duhet të përmbushë vetëm pritshmëritë e të tjerëve, ai mund të largohet nga talentet, dëshirat dhe rruga e tij.

Dhe ndoshta kjo është pjesa që më prek më shumë…

Si këshilltare në fushën e psikologjisë, në punën time të përditshme nuk kam takuar asnjë të rritur që ende vuan për një dëftesë apo për një notë.

Por kam parë shumë lot.

Lot nga njerëz që sot janë të suksesshëm, që kanë ndërtuar familje, që kanë karrierë dhe që janë në të 40-at, 50-at apo 60-at e tyre, e megjithatë ende jetojnë me bindjen se “nuk jam mjaftueshëm”.

Jo për shkak të një note.

Por për shkak të fjalëve që kanë dëgjuar në fëmijërinë e hershme.

Fjalë që, me kalimin e viteve, janë shndërruar në bindje për veten dhe në zërin e tyre të brendshëm.

Dhe, sinqerisht, nuk e përjashtoj as veten nga ky realitet.

Shpesh, pa e kuptuar, vendosim mbi supet e fëmijëve tanë ëndrrat që ne vetë nuk arritëm t’i realizonim. Duam që ata të bëhen ajo që ne nuk patëm mundësi të bëheshim. Por fëmijët tanë nuk kanë lindur për të jetuar jetën tonë. Ata kanë lindur për të jetuar jetën e tyre, për të zbuluar potencialin, talentet dhe misionin e tyre.

Prindërit tanë na edukuan me dashurinë dhe njohuritë që kishin. Shumica besonin se ashpërsia ndërtonte karakter. Sot dimë më shumë. Dhe pikërisht sepse dimë më shumë, kemi përgjegjësinë të edukojmë më mirë.

Le ta ndërpresim këtë cikël.

Jo duke gjykuar prindërit tanë.

Por duke zgjedhur një mënyrë tjetër për fëmijët tanë.

Sepse një fëmijë nuk ka nevojë për prindër të përsosur. Ka nevojë për prindër që e korrigjojnë pa e poshtëruar, që vendosin kufij pa i thyer shpirtin dhe që e bëjnë të ndihet i dashur edhe kur gabon.

Fëmijëria kalon… por nuk zhduket. Ajo jeton në bindjet tona, në frikërat tona dhe në mënyrën se si e shohim veten.

Prandaj, para se të zemërohemi me fëmijën tonë për një notë, le të ndalemi për një moment dhe t’i bëjmë vetes një pyetje:

Kush po flet tani? Fëmija i lënduar brenda meje? Ëndrrat e mia të parealizuara? Egoja ime? Apo dashuria e pakushtëzuar që vetëm një prind mund ta japë?

Sepse një dëftesë mund të harrohet, por fjalët tona bëhen zëri i brendshëm i fëmijëve tanë.

Si prindër, le të jemi zëri që u jep forcë fëmijëve tanë të fluturojnë… jo zëri që ua këput krahët.

Të Ngjashme