Shkëputja e parakohshme e placentës gjatë shtatzënisë mund të rrisë ndjeshëm rrezikun që fëmija të zhvillojë sëmundje kardiovaskulare ose të vdesë prej tyre deri në moshën 28-vjeçare. Një studim i publikuar në Journal of the American Heart Association zbulon se ky rrezik është rreth 4.6 herë më i lartë krahasuar me personat që nuk kanë pasur këtë komplikacion në lindje.
Kjo gjendje ndodh kur placenta shkëputet nga mitra para lindjes, duke shkaktuar gjakderdhje të rëndë dhe komplikacione serioze për nënën dhe foshnjën. Studimet tregojnë se ajo ndodh në rreth 0.5%–1% të shtatzënive.
Sipas studiuesve, ky nuk është vetëm një komplikacion i rrezikshëm për nënën, por mund të ndikojë edhe në shëndetin afatgjatë të zemrës së fëmijës. Ata theksojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm jo vetëm të nënave pas lindjes, por edhe të fëmijëve të tyre gjatë rritjes.
Studimi përfshiu gati 3 milionë shtatzëni, nga të cilat rreth 1% kishin shkëputje të placentës. Gjatë një periudhe ndjekjeje 28-vjeçare, fëmijët e lindur në këto raste kishin:
4.6 herë më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundje kardiovaskulare
rreth 3 herë më shumë rrezik për shtrim në spital për probleme të zemrës
2.4 herë më shumë rrezik për goditje në tru
Rreziku ishte edhe më i lartë gjatë vitit të parë të jetës. Analizat treguan se kjo lidhje nuk shpjegohet vetëm nga faktorë gjenetikë apo mjedisorë.
Ekspertët theksojnë se shkëputja e placentës është një ngjarje e papritur dhe shpesh e pashmangshme. Megjithatë, shmangia e duhanit, alkoolit dhe drogës, si dhe kontrolli i mirë i tensionit të gjakut, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut.
Studimi nënvizon rëndësinë e monitorimit afatgjatë të këtyre fëmijëve, megjithëse nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht këtë lidhje. /Heart – Syri.net
