Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ku një elektricist 34-vjeçar ka humbur jetën gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë elektrike.
Sipas informacionit paraprak të policisë, viktima, me inicialet A. N., është dërguar rreth orës 20:36 në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, por pa shenja jete.
Dyshohet se 34-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike teksa po ndërhynte për riparimin e defektit, pasi disa familje në zonë kishin mbetur pa energji elektrike.
Sipas policisë, elektricisti ishte thirrur jashtë orarit të punës nga banorët, ndërsa dyshohet se ndërhyrja është kryer pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
