Lajme

Shkodra: Fabrika e municioneve e domosdoshme, e forcon Kosovën

Njohësi i sigurisë, Selam Shkodra, e ka vlerësuar hap të domosdoshëm të Qeverisë së Kosovës vendimin për nisjen e procesit të hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë.

Shkodra në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1 ka thënë se ky hap e forcon pozicionin e Kosovës në rrafshin rajonal dhe global si dhe sipas tij Kosovën e bën një faktor më të rëndësishëm.

“Mendoj se është një hap i mirë i kryeministrit dhe gjithë kabinetit qeveritar. Në zhvillimet e fundit globale veçanarisht këto dy konfliktet luftërat e fundit që kanë ndodhur në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme e kanë krijuar një rrethanë të re në rrafshin global dhe nevojën ekstreme për municione. Siç dihet municionet shpenzohen shpejt në situate lufte dhe duke marrë parasysh këtë rrethanë që është krijuar mendoj se Qeveria e Kosovës edhe pse është vonuar pak por megjithatë është një hap që duhet të përshëndetet për shkak se e forcon pozicionin e Kosovës në rrafshin rajonal dhe atë global si dhe ngrit kapacitetet e FSK-së dhe e bën Kosovën një faktor më të rëndësishëm dhe fqinjët e aleatët na shohin pak më me kujdes”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu ka shtuar se beson që Kosova në të ardhmen do të jetë një eksportuese e madhe e municioneve për shkak të siç ka thënë ‘pasurisë së madhe me plumb të minierës së Stantërgut’.

“Është shumë e domosdoshme dhe krijon partneritete edhe me aleatët tonë por edhe me vetë faktin që është njëri prej vendeve që ka më së shumti pasuri nëntokësore ku dihet se miniera e Stantërgut janë të pasura jashtëzakonisht me plumb dhe besoj që në të ardhmen do të jetë një vend ku Kosova do të jetë eksportuese e madhe e municioneve në kontinentin tonë”, ka shtuar Shkodra.

Të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka nënshkruar vendimin për themelimin e Komisionit Ndërministror për nisjen e procedurave për hapjen e fabrikës së prodhimit të municionit dhe laboratorët për dizajnimin dhe zhvillimin e fluturakëve pa pilotë. Kurti ka thënë se mbrojtja edhe forcimi i Ushtrisë së Kosovës ka qenë prioritet i qeverisë./teve1.info/